Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq deklaroi më 13 qershor se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nuk ka bisedime dhe marrëveshje dhe nuk do të ketë marrëveshje të përbashkët, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
Bërnabiq përsëriti se takimi në Tiranë disa ditë më parë, ishte shumë i trazuar dhe i vështirë dhe se bëhet fjalë për takim përgatitor në Bruksel, në të cilin do të marrë pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Në pyetjen se si e komenton deklaratën e Kurtit me të cilën e akuzon Serbinë për gjenocid, Bërnabiq tha se ai ishte fanatik ideologjik me pragmatizëm zero.
“Ai çdo ditë i kërcënohet Serbisë me padi për gjenocid. Le të ngrejë padi dhe më pas le të thotë çfarë të dojë, le të dëshmojë atë çfarë ka, por të mos kërcënohet, veçanërisht jo në takime rajonale, sepse atëherë ai bën një cirk prej tyre”, deklaroi ajo për TV Përva.
Kryeministrja serbe vlerësoi se, sa i përket Kosovës, gjërat janë të vështira dhe do të jenë edhe më të vështira.
Ajo gjithashtu tha se nuk ka shpresë se do të arrihet një konsensus i përbashkët me partitë e tjera për çështjen e Kosovës, sepse, siç shtoi, nëse kjo e dobëson Vuçiqin, lideri i Partisë për liri dhe drejtësi, Dragan Gjilas, do të ishte në anën e Kurtit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka informuar se në takimin më 15 qershor, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, I cili u mbajt në selinë e BE-së në Bruksel, ka dhënë katër propozime ku tre janë refuzuar, ndërsa për një propozim nuk ka marrë përgjigje, njofton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.
Siç ka shkruar Kurti në ueb faqen e tij zyrtare në Fejsbuk, ai në takimin me Vuçiqin ka shprehur gatishmërinë për udhëheqjen e dialogut që do të rezultojë me njohjen reciproke të dy vendeve.
“Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim”, ka shkruar Kurti që sipas tij janë:
“Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra se çfarë marrëveshje Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional, siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Për çështjen e njerëzve të humbur, të zhdukurit me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreu i delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte shef i qarkut të Kosovës dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq.
Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkohë tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, Vuçiq dhe Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka theksuar Kurti.
Refuzimi i propozimeve, sipas Kurtit, nënkupton se nuk është arritur marrëveshje për axhendën në takimin e ardhshëm me përfaqësues serb që siç paralajmëroi ai, do të mbahet në fund të muajit korrik.