BE-ja duhet ta përmbushë premtimin e dhënë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porositi sot ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Hajko Mas, duke theksuar se e kupton dëshpërimin në rajon për shkak të përparimit të vogël të procesit të zgjerimit gjatë vitit të kaluar dhe u angazhua për lëvizjen e tij të serishme.
“E ardhmja e të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Gjermania është plotësisht e përkushtuar në këtë qëllim. Nëse ofroni ju, gjithashtu do të ofrojmë edhe ne. Kjo duhet edhe në të ardhmen të jetë qasja jonë drejtë zgjerimit të Bashkimit Evropian”, tha Masi në takimin onllajn me homologët e tij nga vendet e Ballkanit Perëntimor.
Masi gjatë kësaj, siç informon Dojçe Vele, kërkoi nga vendet e rajonit që ta përforcojnë sundimin e drejtësisë, ta përforcojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ta mbrojnë lirinë e mediave dhe të krijojnë hapësirë në të cilën do të mund të zhvillohet demokracia, me çka do të tërhiqen më shumë investime të huaja, do të krijojnë kushte për perspektivë të të rinjve dhe do të ndërpritet emigrimi i kuadrove të kualifikuara nga rajoni.
“Por, nga ana tjetër, edhe BE-ja duhet t’i përmbushë premtimet”, tha Masi duke i theksuar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si shembuj për ato premtime të papërmbushura.
Ai potencoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria realizuan progres të vazhdueshëm në reformat gjyqësore dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit, ndërsa me Marrëveshjen e Prespës, Shkupi dhe Athina “demonstruan lidership politik historik”.
Shefi i Diplomacisë gjermane kërkoi që menjëherë të fillojnë bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe gjatë kësaj i shprehu falënderim presidencës portugeze me BE-në, e cila, siç theksoi, po e mban këtë temë në agjendën e lartë të Unionit.
Masi porositi edhe se për kontestet bilaterale nuk duhet të ketë vend në agjendën e BE-së.
“Të gjithë e dimë se politika e brendshme mund ta kufizojë fushëveprimin e politikës së jashtme. Edhe e kuptojmë se çështjet e historisë dhe identitetit janë delikate. Por, çështjet e tilla bilaterale nuk duhet të pengojnë të gjithë procesin e anëtarësimit”, tha Masi.
Në takimin onllajn me homologët e e tij nga Ballkani Perëndimor, i cili është pjesë e përgatitjeve për Samitin BE- Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, Masi paralajmëroi edhe se pas vaksinave, Unioni rajonit do t’i dorëzojë edhe ndihmë medicinale dhe ekonomike shtesë.