Komisioni për Sëmundjet Infektive sot duhet ta shqyrtojë mundësinë për zbutjen e masave KOVID dhe heqjen e orës policore, ndërsa tema e parë për diskutim në takim do të jetë mbajtja e maskave në hapësirë të hapur.
Vendimi i Komisionit varet nga vlerësimi i situatës së përgjithshme epidemiologjike dhe nga parametrat, por edhe nga parashikimet dhe informacionet mbi llojet e KOVID-it siç është ai indian, të cilat janë një rrezik i mundshëm për vendin.
Ndërkohë, numri i njerëzve të infektuar po qetësohet, ndërsa gati 228,000 qytetarë janë vaksinuar.
Bilanci i fundit zyrtar i KOVID është 53 raste të reja, 111 të shëruar dhe 13 të vdekur.
Për shkak të kësaj, autoritetet presin zbutjen e masave nga java e ardhshme. Nga ana tjetër, Grupi qeverisës për vlerësim dje unanimisht vendosi të propozojë vazhdimin e situatës së krizës në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik në kushte të KOVID-19 dhe parandalimin e përhapjes së tij.
“Duke i marrë parasysh shifrat që tregojnë një qetësim shumë të shpejtë të epidemisë, unë jam optimist se javën e ardhshme do të ketë zbutje të masave. Nuk do të doja të spekuloja se cilat masa konkretisht. Sidoqoftë, të gjitha masat e marra do t’i nënshtrohen rishikimit të mëtejshëm. Ne, si Ministri e Shëndetësisë dhe si Qeveri, mezi presim t’i tërheqim masat, por pa e rrezikuar shëndetin e qytetarëve tanë”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë Ilir Hasani.
Hasanit i pengon të mbajë maskë jashtë. E ndjen atë si një barrë. Ai është gjithashtu për heqjen e plotë të orës policore, por, thotë, për këtë duhet të vendos Komisioni për Sëmundjet Infektive.
“Komisioni për Sëmundje Infektive do të marrë një vendim bazuar në situatën e përgjithshme epidemiologjike, parametrat, bazuar në parashikimet dhe informacionin që kemi në lidhje me shtame të tjera që janë një rrezik i mundshëm për vendin tonë, siç është lloji Indian dhe të tjerët. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të ruajtur shëndetin,” tha Hasani.
Siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë, gjithsej 249 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për koronavirus mjekohen në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet në të gjithë vendin, ndërsa ka 538 shtretër të zbrazët. Nga ana tjetër, në qendrat KOVID mjekohen 149 pacientë që janë pozitivë dhe të dyshimtë ndaj koronavirusit. Numri i pranimeve është në rënie, të gjitha repartet infektive kanë furnizim me oksigjen dhe mund të kujdesen për pacientët që kanë nevojë për mbështetje të oksigjenit. Për shkak të numrit të zvogëluar të pacientëve, spitalet mbyllën një pjesë të kapaciteteve të destinuara për pacientët me KOVID.
Imunizimi bëhet pa probleme në të gjitha pikat në të gjithë vendin. Interesimi po rritet çdo ditë, ndërsa deri më tani numri i njerëzve që kanë shprehur dëshirën për vaksinim përmes platformës http://vakcinacija.mk është 425.422 qytetarë. Gjithsej janë aplikuar 267.167 doza të vaksinave, ndërsa 54.600 qytetarë janë rivaksinuar. Sipas shifrave të fundit, 46 përqind e popullsisë mbi moshën 70 vjeç dhe 40 përqind e popullsisë mbi moshën 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Vaksinimi masiv kryhet në A1 Boris Trajkovski në Shkup, si dhe në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir, Strumicë, Ohër, Veles dhe Prilep.
Kryeministri Zoran Zaev, i cili dje mori dozën e dytë të “Sinofarm”, edhe një herë u bëri thirrje qytetarëve të cilët ende nuk janë regjistruar në portalin vakcinacija.mk ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet imuniteti kolektiv. Ministri i Shëndetësisë gjithashtu bëri thirrje për regjistrim dhe vaksinim.
Sot e mora dozën e dytë të vaksinës “Sinofarm”. Ndihem shumë mirë dhe vazhdoj me ditën e punës. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që nuk janë regjistruar ende në portalin www.vakcinacija.mk ta bëjnë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrijmë imunitet kolektiv dhe të shpallim fitore ndaj pandemisë së shkaktuar nga KOVID-19, #Mbroju #Vaksinohu “VaksinatShpëtojnëJetë, ka shkruar Zaev në Fesjbuk.