Sapo të sigurohemi se ekziston mundësia, menjëherë do t’i mbështesim me vaksina fqinjët tanë, tha kryeministri grek Kiriakos Micotakis nga Brukseli, menjëherë pas Këshillit të Evropës gjatë brifingut me gazetarët grekë, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Lidhur me atë se si Greqia mund të marrë pjesë dhe ta ndihmojë sistemin Kovaks, Micotakis sqaroi se njëra mënyrë është në mënyrë bilaterale të ndihmohen fqinjët, ndërsa mënyra tjetër përmes kontributit të drejtpërdrejtë në vaksinat që do t’i mbledhë Evropa.
“Kemi mënyra të ndryshme për të kontribuar. Së pari, mund të kontribuojmë në nivel bilateral dhe në këtë moment po shqyrtojmë drejtpërdrejtë së pari përforcim bilateral të fqinjëve tanë. Më pas kemi mundësi të marrim pjesë ose drejtpërdrejt në Kovaks apo eventualisht përmes iniciativës evropiane, përkatësisht edhe ne të hyjmë në 100 milionë vaksinat që Evropa dëshiron t’i mbledhë. Kjo do të jetë mënyra jonë, por më e sigurt është se do të dalim me disa njoftime për mbështetje të drejtpërdrejtë për fqinjët tanë, sapo të sigurohemi se e kemi atë mundësi, menjëherë do ta bëjmë atë”, sqaroi Micotakis.
Duke folur për vaksinat në BE, kryeministri grek theksoi se Evropa i ka siguruar dozat shtesë për vitet 2022 dhe 2023, ndërsa sipas vlerësimit të tij, sigurisht do të nevojitet edhe një dozë, nëntë deri 12 muaj pas vaksinimit të parë.
Vlerësoi se është “shumë pozitive” ajo që disa nga vaksinat tashmë po miratohen edhe për moshat më të reja, diçka që, sipas Micotaksit, jep mundësi të hapet diskutim dhe të shqyrtohet vaksinimi i fëmijëve mbi moshën 12 vjeç.
Paralelisht, duke folur me gazetarët grekë, e shprehi kënaqësinë e tij për certifikatën evropiane për vaksinim, miratuar me propozim të Greqisë.