shkruan: LATIF MUSTAFA
Kohëve të fundit, mbase jo në nivel shumë serioz dhe të shtruar, diskutohet rreth përfshirjes së lëndës seksuale në plan programet mësimore. Po meqë në këtë shënjim përmendet fjala “seks”, si shoqëri me mendësi kuazi-konservative, jemi të prirë për të reaguar dhe manifestuar histeritë tona rreth botëkuptimeve tona për seksin dhe moralin. Në këtë rrjedhë, shoqëritë kuazi-konservative, e që konservatzmin e kanë rrethanor dhe kontekstual, për shkak të një opinioni publik shpërfaqin bindjet apriorike se edukata seksuale ka të bëjë me perversitetin. Çfarë, në të vërtetë është edukata seksuale dhe a është e domosdoshme si lëndë në shkolla, kur tashmë pajtohemi unanimisht se, shoqëria jonë ka nevojë për një debat të gjerë rreth sistemit edukativ dhe arsimor në nivel vendi?
Edukim politik
Edukata seksuale është lëndë e mësimore e cila, para së gjithash, ka të bëjë me edukimin politik. Thelbi i edukimit politik ka të bëjë me të drejtat politike, angazhimin, etikën dhe përgjegjësitë e individit që ai ka ndaj tjetrit dhe shoqërisë e cila ka përzgjedhur që të vetorganizohet përmes konceptit të shtetit. Përpjekja më fisnike e një shoqërie është që ta sendërtojë konceptin e një shteti gjithëpërfshirës përmes një pushteti gjithëpërfshirës dhe të barabartë, pavarësisht gjinisë, orientimit seksual, etnisë, kombit dhe racës. Si e tillë, edukata seksuale mëson dhe stimulon barazinë gjinore si koncept politik i domosdoshëm për funksionimin normal dhe krijimin e mirëqenies shoqërore.
Trupi si realitet përfundimtar
Në botëkuptimin individual, edukata seksuale promovon idenë e dekonstruktimit të trupit si realitet përfundimtar. Nuk është trupi ajo që na krijon epërsinë shoqërore, aq më tepër ajo zhvesh mendësinë e superioritetit trupor e që në thelb është edhe racor. Lënda e edukatës seksuale zhvesh dhe zbeh fetishizmat të krijuara mbi imagjinatën e femrës si objektifikim i trupit të saj. Përskaj trupit njeriu posedon shumë vlera të tjera dhe trupi nuk realiteti përfundimtar e as primar.
Dekonstruktimi i superioritetit mashkullor
Jo vetëm në shoqëritë tona, por në nivel global, mbizotëron diskursi për superioritetin mashkullor i cili është produkt i mendësisë patriarkale dhe maskiliste me ç’rast gruan e sheh si objekt i mangët trupor, e konsideron po ashtu edhe si qenie me një “natyrë” ndryshe. Ky diskurs ka të bëjë me tjetërsimin e gruas si qenie njerëzore e cila “lehtësisht” përpihet nga fuqi metafizike sa që arrin ta fus edhe “djallin në shishe”. Kjo mendësi konsiston me një kompleks të rëndë historik e të shtresëzuar me narracione të ndryshme se gruaja është emocionale, përjeton më fort, ajo është herë qenie e dobët e herë qenie e sëmurë dhe si e tillë, ajo duhet të nënshtrohet. Njashtu siç burri e mbizotëron natyrën në botë, njashtu duhet ta mbizotërojë edhe gruan. Paramendoni, në leksikun tonë të përditshmërisë, kur i themi “një njeri po pret te porta” në mënyrë apriori nënkuptohet se bëhet fjalë për burrë. Me një fjalë, njeriu është sinonim i burri. Gruaja është sinonim veç i gruas.
Lënda e edukatës seksuale nuk është amoralitet
Shpesh, si shoqëri, priremi të mendojmë se lënda e edukatës seksuale ka të bëjë me perversionin dhe amoralitetin. Në fakt, është gjëja e fundit që do të mund të shndërrohej në perversitet. Në fakt, ne gëlojmë nga perversitetet e tjera shoqërore duke filluar nga ideologjia e deri tek tentakulat e sistemit politik të cilat përmes biopolitikës përpiqet të krijojnë shabllone të caktuara për njëmendësinë. Edukata seksuale, më tepër se për seksin si proces, mëson edhe konsekuencat dhe pasojat shëndetësore e marrëdhënieve të hershme dhe të pambrojtura, traumat e mundshme dhe pasojat në nivel social. Kjo lëndë, nëse do të ligjërohej nga njerëz profesionist dhe të përgjegjshëm, do të krijonte një moral të ri shoqëror, ku femra apo gruaja do të zhvendosej nga epiqendra e shënjestrimit si qenie e pamoralshme. Kjo lëndë do në mësojë se morali nuk është kaq i thjeshtë të reduktohet në masë të marrëdhënieve seksuale njerëzore. Thënë ndryshe, morali nuk është veç midis këmbëve të gruas, por edhe midis nofullave dhe këmbëve të mashkullit.
Debati i seksit në familje
Edukata seksuale do të nxisë debate edhe brenda familjeve. Tani, gjersa, nxënësit do të ballafaqohen me koncepte të reja, ata do të fillojnë këto diskutime t’i mbartin edhe në ambiente familjare me ç’rast do t’i “detyrojnë” prindërit që të hapen dhe të diskutojnë në ambient më të qetë temat që dikur ata i kanë konsideruar “të ndaluara”. Biseda është gjithmonë çliruese. Me kohën, nëse kjo lëndë të ligjërohej në formën më të mirë të mundshme, si shoqëri do të ç’liroheshim nga “skuqja” kur përmendet seksi. Mishel Fuko thoshte se s’kuqja me rastin e të përmendurës së seksit është indikacion i një dëshire të madhe për të folur për seksin. Si familje e shoqëri, kur do të arrijmë në pikën kur, as biseda e seksit të mos na bëjë përshtypje atëherë besoj se jemi futur në një fazë të re qytetërimi.
Shpëtimi i Erosit dhe nënshtrimi i tjetrit
Lënda e edukatës seksuale, do të na mësojë edhe për egon njerëzore, gjegjësisht e cila dëshiron të ndërtojë raport me tjetrin duke e nënshtruar atë. Projektimi dhe perceptimi i “tjetrit” si i dobët nuk vendos raport harmonie e dashurie me tjetrin, por një raport pushteti dhe instrumentalizimi. Çlirimi nga diktatura e trupit, gjegjësisht, nga narracioni fetishist që kemi për trupin do t’i japë edhe një shans dashurisë e cila është tejtrupore. Lënda e edukatës seksuale mbi të gjitha, do të na mësojë se si ta perceptojmë veten, ta duam tjetrin dhe ta dashurojmë atë në lirinë e tij.