Numri i rasteve të reja të Kovid-19 në vend po shënon ulje të lehtë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 62 raste të reja me KOVID-19, janë shëruar 245 pacientë, ndërsa kanë ndërruar jetë 14 persona, ndërsa janë bërë 2.557 teste.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje përmes profilit të tij në Fejsbuk informoi se termine për vaksinim kanë marrë të gjithë qytetarët e moshës mbi 40 vjet nga Shkupi, të cilët deri më 30 prill kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb-faqes „www.vakcinacija.mk“.
Siç thekson ministri, gjatë tri ditëve të ardhshme edhe nga qytetet e tjera të vendit, termine për vaksinim do të marrin qytetarët e moshës mbi 40 vjeçare, të cilët deri në fund të prillit kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes kësaj ueb-faqe.
Filipçe informoi se prej dje filloi edhe vaksinimi i pacientëve me dializë dhe me transplantim.
“Prej dje filloi vaksinimi edhe i pacientëve të cilët janë në dializë, si dhe pacientët me transplantim. Imunizimi në shtet zhvillohet me tempo të përforcuar, mënyra më e lehtë që të vaksinoheni është duke u regjistruar në www.vakcinacija.mk”, shkruan Filipçe në Fejsbuk.
Gjatë 24 orëve të kaluara në qendrat e kovidit në spitalet përgjatë vendit është regjistruar se po mjekohen gjithsej 311 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë me koronavirus.
Ministria e Shëndetësisë dje informoi se numri i përgjithshëm i pacientëve të cilët po mjekohen në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet përgjatë shtetit është 514 dhe ka rreth 740 shtretër në qendrat e kovidit. Për shkak të numrit të ulur të të sëmurëve, janë mbyllur disa nga kapacitetet e dedikuara për pacient me kovid.
Në kovid qendrat në Shkup në 24 orët e fundit janë hospitalizuar 17 pacientë të rinj, ndërsa gjithsej 203 persona të dyshimtë dhe të konfirmuar me Kovid-19 po mjekohen në repartet infektive. Numri i pranimeve në ditët e fundit po zvogëlohet dhe këtë mëngjes deri në orën 8 kishte 180 vende të lira, ndërsa pritet që gjatë ditës pas testimeve të pacientëve të shëruar të lirohen vendet shtesë.
Sipas raporteve të spitaleve që arrijnë në Ministrinë e Shëndetësisë në baza ditore, në spitalin në Manastir janë të hospitalizuar 35 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë ndaj Kovid 19. Në spitalin në Shtip janë hospitalizuar 36 pacientë. Në repartin infektiv në Tetovë ka shtatë pacientë, në Veles janë duke u mjekuar 35 të sëmurë ndërsa në Kumanovë 51 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë ndaj Kovid 19.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 154.698, numri i pacientëve të shëruar është 148.851, i të vdekurve është 5.211, ndërsa numri i rasteve aktive është 3.636.
Në vend arritën edhe 100.000 vaksina kineze “Sinofarm”, donacion nga Armata kineze. Kompetentët shpresojnë se me këtë sasi të konsiderueshme të vaksinave, mund të ndryshojë pasqyra epidemiologjike në vend.
Vaksinimi, sipas kompetentëve, bëhet në pajtim me dinamikën e paraparë, sipas moshës dhe deri në fund të javës së ardhshme pritet të vaksinohen plotësisht 8.000 qytetarë të paraqitur më të moshuar të cilët do të kenë prioritet para më të rinjve.
Prioritarë do të vaksinohen edhe pacientët me veshkë të transplantuara dhe pacientët në dializë, pas çka pasojnë ata me formë më të rëndë të sëmundjeve kronike në sistemin respirator. Në grupin e të sëmurëve nga sëmundjet kronike të cilët, gjithashtu, do të kenë prioritet gjatë vaksinimit, janë edhe pacientët me fibrozë cistike.