Në Kabinetin e presidentit sot janë ndarë certifikatat e pjesëmarrësve në programin “Menaxher të rinj dhe liderë biznesi” të cilët gjatë periudhës së kaluar me sukses e përfunduan trajnimin në tetë kompanitë, anëtare të Këshillit të Investitorëve të Rinj: EVN Maqedoni SHA, Komfi Angel, Van Hool Maqedoni, Kemet Elektroniks Maqedoni, EOS Matriks Maqedoni, Filip Moris TKP, Ramstor Maqedonia dhe Makstill SHA Shkup.
Presidenti Pendarovski, siç theksohet në njoftimin e Kabinetit të tij, duke shprehur falënderim për këto kompani me përgjegjësi shoqërore, të cilat i vendosën në dispozicion kapacitetet e tyre, duke iu mundësuar përsosmëri profesionale menaxherëve të rinj dhe liderëve të biznesit, theksoi se përmes këtij programi, motivohen profesionistët e rinj që të mbesin edhe të realizohen këtu, në Maqedoninë e Veriut. Kjo, siç theksoi presidenti Pendarovski do ta transformojë shtetin tonë në shoqëri të lirë dhe të prosperuar, në të cilën do të çmohen cilësia, përkushtimi dhe profesionalizmi.
“Kandidatët ofruan perspektiva të reja, të freskëta, të cilat me siguri do të jenë në interes të kompanive. Disa nga zgjidhjet të cilat pjesëmarrësit e rinj i përgatitën janë aq cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, sa kompanitë janë të gatshme edhe në praktikë t’i zbatojnë”, tha presidenti Pendarovski.
Në atë drejtim, presidenti Pendarovski shfaqi kënaqësi për interesimin te një pjesë e kompanive që profesionalisht të angazhojnë disa nga pjesëmarrësit e këtij viti, që është njohje e madhe për këtë program të liderëve.
“Kjo nënkupton se jemi në rrugën e vërtetë që të krijojmë gjeneratë të njerëzve të rinj, kreativë dhe të përkushtuar të cilët nuk janë rob të modeleve të vjetra, por janë të gatshëm që të përballen me ndryshimet e reja dhe të shpejta të epokës digjitale”, theksoi presidenti Pendarovski.
Kryetari i Këshillit të Investitorëve të Huaj, Shtefan Peter nga ana e tij potencoi se rezultati më i mirë i programit janë ofertat për punë të disa pjesëmarrësve.
“Bëmë punë të shkëlqyer në periudhën më të vështirë, në kushte të pandemisë së Kovid-19”, theksoi Peter.
Në kuadër të programit të këtij viti kandidatët kishin mundësi që të arrijnë përvoja të reja, praktike për planifikim strategjik, t’i zhvillojnë aftësitë e reja të liderëve dhe t’i tregojnë njohuritë e tyre, theksohet në kumtesë.
“Menaxher të rinj dhe lider biznesi” realizohet përmes bashkëpunimit ndërmjet Kabinetit të Presidentit të Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Investitorëve të Huaj pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë”.