17,8 milionë euro peshon pakoja e 6 ekonomike, me të cilën do të ndihmohen rreth 10 mijë kompani dhe afër 60 mijë të punësuar. Nga këto do të përfitojnë 12 kategori ekonomike, tregon zëvendëskryeministri për ekonomi, Fatmir Bytyqi. Sipas Portalb.mk
“Mesatarja për ato që janë të mbyllura merret nga 2019 dhe 2020. Ne mund të kompensojmë 30% të të ardhurave mesatare, por, për shkak se ata janë të mbyllur vetëm 21 ditë, përllogaritet 30% në ditët në të cilat janë të mbyllur, pra 30% nga 100 mijë denarë (fitim mujor), duhet të jetë 30 mijë denarë, por për shkak se ai ka qenë i mbyllur vetëm 75% të kohës së gjithë muajit, do të marrë 75% e 30 mijëshit”, deklaroi Fatmir Bytyqi,zv/kryeministër për çështje Ekonomike.
Me 2,5 milionë euro do të mbështeten rreth 1200 kompani për veprimtaritë si vendpushimet private për fëmijë, klubet e natës, këndet e lojërave, restorantet e dasmave, industritë e eventeve, qendrat e fitnesit, fotografët dhe studiot fotografike. 1,4 milionë euro do të shkojë për agjencitë e kategorizuara turistike. 2 milionë euro janë paraparë për mbështetje për likuiditet për kompanitë. 1 milionë euro me zero për qind normë interesi do të shkojë për mediat radio-televizive. Nga 30,750 denarë do të marrin muzikantët dhe guidat e licencuara turistike.
Në pakon e 6-të ekonomike po ashtu janë paraparë mjete edhe për sigurimin e 50 mijë testeve PCR falas për turistët që qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut e të cilëve u duhet test PCR kur kthehen në vendet e tyre.