Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot i përshëndeti përpjekjet që, siç tha, janë bërë për zhbllokimin e punës së Kuvendit, por, është dashur në to të përfshihet edhe ai si kryetar sepse duhet t’i zbatojë të gjitha procedurat në institucion. Në lidhje me ligjin për regjistrim dhe ndryshimet e Kodit zgjedhor tha se nuk e di kur do të sillen, sepse, duhet të respektohen të gjitha procedurat. Informon se nga aspekti formal propozimet i ka kthyer deri te propozuesit, prej ku pret në afatin e mundshëm më të shpejtë t’i kthejnë sërish në Kuvend.
“I përshëndesim përpjekjet e bëra ditëve të fundit jashtë ose brenda në institucion. I përshëndes vendimet që njëzëri u shprehën se janë për zhbllokim të punës së Kuvendit. Më në fund e përshëndes edhe faktin që e dinë se është bërë gabim i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, edhe pse unë do ta konsideroj si të paqëllimshëm, për faktin që në të gjitha punët dhe matematikat është dashur të jetë i pranishëm kryetari i Kuvendit, i cili ato vendime t’i zbatojë në mënyrë institucionale në Kuvend, me procedurat”, tha Xhaferi në konferencën për shtyp, që e mbajti derisa është në vijim koordinimi i grupeve të deputetëve të cilat duhet të dakordohen për dinamikën dhe mënyrën e punës.
Kryetari i Kuvendit sqaroi se koordinimin e ka konvokuar si rezultat i deklaratave që partitë politike janë harmonizuar.
“Kam bërë thirrje për koordinim të jashtëzakonshëm, në të cilën kam marrë pjesë deri tani dhe e cila do të vazhdojë pas kësaj konference shtypi, që të mundem t’i tregoj qëndrimet e mia në lidhje me procedurat dhe zbatimin e mundshëm të asaj që është dakorduar, një pjesë jashtë, një pjesë këtu në institucion”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se i ka marrë ndryshimet e Ligjit për regjistrim dhe të Kodit zgjedhor, të cilat i kanë paralajmëruar nga Qeveria dhe nga grupet e deputetëve.
“Nga aspekti formal i kam kthyer deri te propozuesit. Shpresoj se gjatë ditës do t’i kthejnë me korrigjime dhe shtesa me të cilat duhet të rregullohen propozimet dhe në mënyrë adekuate të lëshohen në procedurë parlamentare përkatëse”, theksoi Xhaferi.
Në takimin e sotëm koordinativ me Xhaferin, marrin pjesë nënkryetarët Goran Misovski dhe Fadil Zendeli, si dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve të LSDM-së, Jovan Mitrevski, të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, të BDI-së Arbër Ademi, të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Skender Rexhepi, Kastriot dhe Dimitar Apasiev nga e Majta.