Parlamenti Evropian nesër do të diskutojë dhe votojë për Raportin vjetor të Republikës së Maqedonisë së Veriut ku grupi i Të Gjelbërve dhe Socialistëve kanë dorëzuar propozime për ndryshime dhe plotësim që i referohen sjelljes së papërshtatshme dhe provokative të autoriteteve bullgare.
Në amendamentin, përfaqësues të qeverisë bullgare akuzohen për deklarata provokuese për çështje historike që e prekin Maqedoninë e Veriut dhe thirren që autoritet bullgare të përmbahen nga ato deklarata edhe krahas rrjedhës së fushatës zgjedhore në Bullgari.
Propozimin e kanë dhënë katër eurodeputetë nga grupi i Socialistëve dhe Të Gjelbërve: Tonino Picula (Kroaci), Tanja Fajon (Slloveni), Andreas Shider (Austri) dhe Marek Belka (Poloni), ndërsa në amendament qëndron se “dënohen deklarata e mëparshme provokuese të përfaqësuesve të qeverisë bullgare për çështje historike që e prekin Maqedoninë e Veriut e që është në kundërshtim me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe autoritetet bullgare ftohen që të përmbahen nga ato deklarata edhe krahas fushatës zgjedhore që është në vijim në Bullgari”.
Njëherësh në amendamentin e dytë përshëndetet përgjigja e pjekur dhe e balancuar e përfaqësuesve qeveritar të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre provokimeve.
Eurodeputetët bullgar kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër amendamenteve të propozuara nga Socialistët dhe Të Gjelbrit në Raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut që siç vlerësojnë “përmbajnë kualifikime të papranueshme për Bullgarinë”.
Eurodeputeti nga Partia Popullore Evropiane Andrej Kovaçev ka thënë se EPP në shenjë të solidaritetit e ka përkrahë Bullgarinë dhe ka iniciuar dy amendamente që lidhen me mospasjen e progresit në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Parlamentit Evropian për diskriminim e qytetarëve që hapur e shprehin identitetin e tyre bullgar ose përkatësinë etnike dhe fuqishëm kanë inkurajuar autoritetet dhe shoqërinë civile të ndërmarrin masa adekuate për paqen historike me qëllim të tejkalohen ndasitë në kuadër të grupeve të ndryshme etnike dhe kombëtare përfshirë edhe qytetarë me përkatësi bullgare.
Eurodeputeti Angel Xhambaski nga grupi i konservatorëve evropian dhe reformistë thotë se “korrekcionet skandaloze nga ana e Të Gjelbërve dhe Socialistëve janë bërë në moment të fundit, ndërsa më skandaloze është se kryetar i Partisë së socialistëve evropian është Sergej Stanishev që është përfaqësues bullgar në PE”.
Nënpresidentja e Bullgarisë Iliana Jotova tha se eurodeputetët po përgatisin amendament të palejueshëm në rezolutën për Republikën e Maqedonisë të Veriut dhe se amendamenti është i orientuar kundër Bullgarisë. Është e paprecedentë që një dokument i tillë përmban qortim ndaj shtetit aktual anëtar, shkroi ajo në Fejsbuk.
Ajo u bëri thirrje ish kolegëve të saj në Grupin socialist dhe demokratëve në Parlamentin Evropian të tërhiqnin amendamentin.
“Gjuha e urrejtjes dhe deklaratave provokuese, si dhe shtypja e të drejtave të njerëzve me vetëdije bullgare janë markë mbrojtëse e Republikës së Maqedonisë të Veriut. Amendamenti i përgatitur edhe një herë konfirmon dështimin e shtetit bullgar për t’u shpjeguar partnerëve të tij evropianë pozicionin e saj mbi Republikën e Maqedonisë të Veriut”, thotë Jotova.
Edhe pse janë të natyrës konsultative, raportet për progresin e PE-së për vendet kandidate e shprehin dispononimin e forcave të ndryshme politike në Parlamentin Evropian.