Kuvendi ende nuk ka paralajmëruar seancë plenare dhe partitë e pozitës dhe opozitës vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për vonesën në miratimin e masave anti-krizë për Kovid-19. Asnjë aktivitet nuk është planifikuar për sot në Parlament, ndërsa nesër kryetari i Kuvendit ka një informim të rregullt mujor me gazetarët, gjithashtu do të mbahet seanca e pyetjeve parlamentare dhe është paralajmëruar edhe Takimi i 18-të i Komisionit të Përzier të Maqedonisë së Veriut – BE-së.
Megjithë edhe përkundër prononcimeve deklarative se duhen marrë masa dhe se situata e krizës duhet të vazhdojë, asnjëra nga partitë nuk u tërhoq nga qëndrimet apo pikëpamjet e tyre. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi shtyu për një kohë të pacaktuar seancën e 36-të në të cilën ligjet mbi masat për Kovid-19 janë në rendin e ditës, si dhe vazhdimin e situatës së krizës dhe interpelancat e paraqitura nga opozita, dhe Qeveria u bëri thirrje deputetëve që bllokojnë Kuvendin për t’u tërhequr nga “ky veprim destruktiv”.
LSDM-ja në pushtet akuzoi të gjitha partitë opozitare në Parlament se po bëjnë gjithçka për të bllokuar proceset e rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.
Deputeti i LSDM-së Kosta Kostadinov në një konferencë shtypi tha se VMRO-DPMNE-ja së bashku me partnerët joformalë të aleancës, Aleanca dhe e Majta, së bashku marrin pjesë në bllokimin e ligjeve që sigurojnë zbatimin e masave ekonomike të paketës së katërt dhe të pestë.
Siç tha ai, është e turpshme dhe poshtëruese që një deputet t’u thotë qytetarëve të bëjnë durim për një muaj pa pagë, që ai të vijë në Parlament, të mos paraqitet në seanca dhe të marrë një rrogë mujore disa herë më të lartë sesa paga minimale. Për Kostadinov, opozita nuk kujdeset aspak për shëndetin e qytetarëve dhe kolegëve të tyre deputetë.
“Deputetët nga të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj qytetarëve për të bërë punën e tyre, për të cilën ata marrin pagë. Nëse VMRO-DPMNE-ja, Aleanca dhe e Majta duan që të bllokojnë, le të kthejnë pagat e tyre këtë muaj, sepse ata nuk bënë asgjë tjetër përveç bllokadave”, tha deputeti Kostadinov.
Përveç ligjeve që lidhen me masat ekonomike, opozita, akuzon ai, po bllokon edhe dhjetëra ligje që janë të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e shtetit dhe institucioneve, të tilla si ligji për zyrtarët administrativë, ligji i arsimit të lartë, ligji i punëve të brendshme, ligji për marrëdhëniet e punës, ndryshimet e ligjit për kujdesin shëndetësor, ligji për trashëgiminë kulturore, ligji për një qendër të re klinike, financimi i transportit të ri ekologjik publik në Shkup…
“Në kushtet kur shteti dhe e gjithë shoqëria po përballet ende me koronavirusin, opozita kundërshton vazhdimin e krizës. Gjendje krize në të gjithë ose në një pjesë të territorit është shpallur që nga viti 2015 me krizën e emigrantëve dhe nuk është diskutuar ose problematizuar kurrë”, tha Kostadinov.
Si shumicë parlamentare, theksoi ai, ne do të përdorim të gjitha rregullat dhe mundësitë ligjore, që të gjitha ligjet në interes të qytetarëve të miratohen dhe reformat të vazhdojnë.
Partitë në pushtet, LSDM, BDI dhe Besa kanë një shumicë prej 62 deputetësh. Dy deputetë nga shumica nuk mund të marrin pjesë në punën e Kuvendit për shkak të Kovid-19. Parlamenti nuk ka kuorum dhe nuk mund të miratojë ligje pa mbështetjen e opozitës. Kriza në Kuvend lindi pasi partitë parlamentare nuk arritën të bien dakord për Seancën e 36-të. VMRO-DPMNE kërkoi një seancë të posaçme mbi ligjet në lidhje me Kovid-19 dhe situatën e krizës, ndërsa qeveria u kërkoi deputetëve të ishin në seancën e 36-të, e cila ishte planifikuar dhe të votonin në agjendën e seancës për të punuar në çështje të tjera.
VMRO-DPMNE beson se problemi me shumicën në Kuvend mund të zgjidhet vetëm përmes zgjedhjeve.
Zëdhënësi i partisë Dimçe Arsovski dje në një konferencë shtypi tha se deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk e pengojnë punën e Kuvendit, përkundrazi ata janë proaktivë në shumë tema që janë me interes për qytetarët.
Sipas tij, nëse qeveria do që LSDM-ja të votojë për grupin e pestë të masave dhe për të ndihmuar ekonominë, ata mund ta kishin bërë atë në ditën kur u votua mocioni i besimit për qeverinë e Zoran Zaev, sepse dy javë më parë u prezantua grupi i pestë i masave dhe më pas ata mund të votonin për të.
“Por pse nuk e bënë atë? Ata nuk e bënë atë sepse edhe vetë atyre nuk u pëlqen masa e pestë që do të votohet sepse nuk kanë para në buxhet”, tha Arsovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa po bllokojnë rreth 20 ligje me mbi 32,000 ndryshime, përfshirë vendimin për të vazhduar krizën në kufijtë jugorë dhe veriorë.
Koordinatori i grupit parlamentar, Skender Rexhepi dje i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, që të caktojë një seancë dhe të shpallë zgjedhje.
“Është shumë e rëndësishme se kush filloi i pari. I bëj thirrje kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi të caktojë një seancë dhe të shpallë zgjedhjeve ta parakohshme parlamentare. Ne nuk jemi fajtorë për bllokadën, LSDM-ja dhe BDI-ja janë fajtorë”, tha Rexhepi, duke theksuar se ata nuk devijojnë nga ligji për shtetësinë dhe kërkojnë që të rakordohet apo harmonizohet me ligjin e Qeverisë.