Me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas, sot, duke filluar nga ora 15:00, para Ministrisë së Punëve të Brendshme do të fillojë Marshi i pestë për të Drejtat e grave.
“Në këtë marsh protestues nën slloganin ‘Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon” së bashku do të dërgojmë një mesazh se nuk mundemi të jemi të lirë, kur ende po luftojmë për të drejtat tona të punës, dinjitetin dhe respektin, dhe ne jetojnë nën kërcënimin e dhunës dhe diskriminimit sistemik”, thonë nga Platforma për barazi gjinore, të cilët së bashku me aktivistet e të drejtave të grave e organizojnë marshin për 8 mars.
Prej atje thonë se po marshojnë sepse një shtet që nuk vepron është një shtet që përdhunon. Ata po marshojnë në mbështetje të të gjitha viktimave të grupit kriminal “Dhoma publike” dhe të gjitha viktimave të dhunës me bazë gjinore. Ata po marshojnë për të kujtuar institucionet, MPB-në dhe Prokurorinë Publike se nuk do të ndalen derisa të plotësohen kërkesat e tyre fillestare.
Marshi për të drejtat e grave do të zhvillohet sipas një rruge të paracaktuar, duke filluar nga para Ministrisë së Punëve të Brendshme deri tek Parku “Gruaja Luftëtare” ku do të përfundojë me një adresim drejtuar publikut dhe institucioneve.
Paraprakisht, Platforma u dërgoi një kërkesë dhe apel punëdhënësve që të lirojnë punëtorët nga detyrat e tyre në 8 Mars nga ora 14:00 deri në ora 17:00, në mënyrë që të marrin pjesë në marshimin e këtij viti.