Eurokomisarët për buxhet dhe administratë Johanes Han, për fqinjësi dhe negociata për zgjerim, Oliver Varhej dhe ekonomi Paolo Xhentolini kanë dalë me vlerësime pozitive për takimet me ministrin e Financave, Fatmir Besimi në Bruksel duke theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon me reformat lidhur me anëtarësimin në BE.
“Diskutim i mirë me ministrin e Financave, Fatmir Besimi sot. Me rëndësi është se Maqedonia e Veriut vazhdon të reflektojë mbi reformat e BE-së. Poashtu theksi ka qenë në planin ekonomik- investues për Ballkanin Perëndimor- implementimi i saj do të jetë çelësi për rimëkëmbjen post- kovid”, ka shkruar eurokomisari Varhej në Tuiter.
Eurokomisari Han poashtu në Tuiter ka theksuar se ka qenë kënaqësi të takohet me Fatmir Besimin, ministër i Financave të Maqedonisë së Veriut.
“Kemi pasur diskutim të frytshëm për rimëkëmbjen ekonomike post- kovid dhe masat që duhet të ndërmerren. BE vazhdon të mbështes vendin dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre reformuese. Theksi mbetet në sundimin e së drejtës”, ka shkruar Han.
Ministri Besimi është në vizitë dyditore në Bruksel në kuadër të së cilës ka më shumë takime me eurokomisarë, me drejtorin e Drejtorisë për fqinjësi de zgjerim dhe Bankës Botërore.