Në lidhje me vuajtjen e masës së arrestit shtëpiak të akuzuarit Sasho Mijallkov, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit informon se në momentin e përfundimit të debatit kryesor për lëndën “Target – Fortesa” prokurorët të cilët vepronin në këtë lëndë nuk kanë pasur kurrfarë njohurish se i akuzuari po përgatitet për arrati. Por edhe krahas kësaj, siç thonë nga Prokuroria, pas përfundimit të debatit kryesor, me qellim që të ndërmeren masa parandaluese, e kanë njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme se debati kryesor ka përfunduar.
“Indikacionet e para se ndoshta po përgatitet arrati e të akuzuarit Sasho Mijallkov, Ministria e Punëve të Brendshme i ndau me prokurorinë më 20.02.2021 (e shtunë) në orën 23:00. Të dielën në mëngjes pas kontrolleve të nevojshme të bëra, është përgatitur propozim për përcaktimin e paraburgimit. Në orën 12:00 me qëllim që të sigurojë kushte për pranim të propozimit për paraburgimin, prokuroria e njoftoi Gjykatën Themelore Penale – Shkup për propozimin e përgatitur, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pas përmbushjes së procedurave administrative, prokurorët e lëndës në orën 14:30 ishin nisur drejtë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, ku në orën 15:00 Propozimi për përcaktimin e masës arrest shtëpiak ishte pranuar nga Gjykata dhe me Vendimi të akuzuarit Sasho Mijallkov i është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe video dhe audio mbikëqyrje 24 orëshe. Vendimi nga ana e prokurorisë është pranuar në orën 18:45. Në ndërkohë, deri sa u pranua vendimi, prokurorët publikë janë njoftuar nga persona kompetentë në Ministrinë e Punëve të Brendshme se kanë kontakt viyual me të akuzuarin Mijallkov dhe se ai nuk është arratisur”, theksohet në kumtesën e Prokurorisë.
Rreth orës 21:20, siç theksohet në kumtesë, Prokuroria është njoftuar se ka problem me dorëzimin e vendimit për arrest, pas çka në orën 21:47 është konfirmuar se i akuzuari Mijallkov nuk është gjetur.
“Duke e pasur parasysh faktin se në momentin e përgatitjes së propozimit për përcaktimin e masës së arrestin shtëpiak, si dhe në momentin e parashtrimit të saj në gjykatë, i akuzuari Mijallkov nuk ishte në arrati, Prokuroria vlerëson se ekzistojnë dyshime për veprën e bërë penale Ndihmë të kryesit pas veprës së kryer penale nga neni 365 i Kodit Penal për shkak se do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e këtyre dyshimeve”, theksohet në kumtesë.
Ish shefi i DSK-së, Sasho Mijalkov, prej dje pasdite është i pakapshëm dhe policia nuk arriti t’ia dorëzojë vendimin për arrest shtëpiak, që si masë e kujdesit, në kërkesë të prokurorisë gjatë fundjavës e solli Gjykata Penale.
Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se ka shpallur urdhër arrest kombëtar, ndërsa kërkoi harmonizim edhe për urdhër arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.
“Gjykata i caktoi masë të arrestit shtëpie për Sasho Mijalkovin. Ndërmarrim masa dhe aktivitete për gjetjen e tij. Pasi nga masat dhe aktivitetet deri më tani të ndërmarra nuk është gjetur, do ta njoftojmë gjykatën dhe do të kërkojmë të jepet urdhër për shpalljen e urdhër arrestit ndërkombëtar”, theksojnë nga MPB-ja.