Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se për të është e pranueshme që në letërnjoftime të qëndrojë grafa e përkatësisë etnike, krahas shtetësisë, por nëse BE-ja ka direktivë konkrete dhe precize lidhur me këtë çështje, ne, thotë ai, nuk kemi alternativë tjetër, pasi kemi aspirata për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.
“E drejtë e të gjithë vendeve anëtare të BE-së, ashtu edhe e jona është ta konfirmojmë pjesën e përfaqësimit etnik. Ambasadori paralajmëroi se nga gushti do të hyjë në fuqi rregullativa evropiane lidhur me këto çështje, e ne dëshirojmë të bëhemi anëtarë të BE-së, është normale se rregullativat evropiane do t’i respektojmë, por, as nuk di hollësira nga kjo rregullativë evropiane me çka ka të bëjë, cilat janë hollësirat konkrete e tjerë. Unë thash se për mua është e pranueshme të qëndrojë përkatësia etnike e qytetarëve krahas shtetësisë, ne jemi vend multietnik. Gjithsesi se është e pranueshme poashtu edhe opsioni nëse dikush dëshiron ose nuk dëshiron ta shtojë këtë, por nëse BE-ja ka direktivë konkrete dhe precize lidhur me këtë çështje, ne, e dini, nuk kemi alternativë përveç anëtarësimit të plotfuqishëm në BE”, thotë Zaev në pyetjen e gazetarëve pas dëshmimit për lëndën “Titanik”, duke e komentuar deklaratën e paradokohshme të euroambasadorit Dejvid Gir.
Euroambasadori Gir, javën e kaluar deklaroi se nga gushti në BE hyn në fuqi rregullativa për mbrojtjen e të dhënave personale, me të cilën ndalohen ndarja e të dhënave personale, si përkatësia racore, etnike, politike dhe fetare.