Them se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi sot kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Nuk e di unë atë se cilët kozmonautë shohin nga Hëna dhe se si do të ndodh kjo, por unë them se zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare nuk do të ketë, për shkak të asaj se nuk i sjellin asgjë të mirë shtetit. Por edhe po të ketë ato nuk do të ndryshojnë asgjë vetëm mund t’i frenojnë projektet zhvillimore”, tha Zaevi, sipas të cilit zgjedhje duhet dhe do të ketë në periudhën 2024 kur vijnë zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me kërkesat e serishme për zgjedhje të parakohshme nga opozita, kryeministri tha se tashmë e ka thënë qëndrimin e tij.
“Do ta përsëris përgjigjen. Vendi ynë kaloi disa herë përgjatë fazave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe vetëm humbëm nga ajo, gjegjësisht kur ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme ngec gati gjithçka në shtet e më së shumti ekonomia. Ndodhën shumë gjëra në shtet me vendime serioze historike dhe e gjithë kjo është për shkak të së ardhmes së mirë ekonomike të cilën dëshirojmë ta përjetojnë qytetarët tanë. Standard më të lartë ekonomik, paga më të larta, vende të reja të punës, ngritje e bruto-prodhimit në shtet, investime të reja dhe cilësi e re e jetës. Për këtë duhet të punojmë të gjithë bashkë që ta arrijmë. Ndërsa mund edhe ta ndërpresim me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Pse?”, pyeti Zaevi në konferencën për media në Qeveri.