Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot e nënshkroi Letrën për marrëveshje me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) për vendosjen e një grupi nacional ndërmjet agjencive në aeroport, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.
“Me azhurnimin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) në Shkup, nga Projekti në Zyrën e Programit, praktikisht është hapur rruga në vend që të përqendrohemi në projekte të njëhershme, të përqendrohemi në organizimin, përgatitjen, zbatimin dhe koordinimin e portofolit së projekteve afatgjata, të programuara në përputhje me interesat dhe nevojat tona të përbashkëta”, tha Spasovski. Janë parashikuar projekte të përbashkëta të të dy institucioneve për ndërtimin e kapaciteteve dhe efikasitetin e kontrollit dhe sigurisë kufitare, që synojnë luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit.
Në ngjarje mori pjesë edhe Zëvendëskryeministri për Luftë Kundër Korrupsionit, për zhvillim të qëndrueshëm dhe burime njerëzore, Lupço Nikollovski dhe Bil Vud, shef i Zyrës së UNODC në Shkup dhe këshilltar rajonal për krimin e organizuar, ndërsa në video lidhje nga Vjena u përfshi drejtpërdrejt edhe Xhon Brandolino, Drejtori i departamentit për çështje të kontratave në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, nënshkrues për Letrën për marrëveshje.
Ministri Spasovski theksoi se me marrëveshjen Maqedonia e Veriut dhe UNODC, edhe zyrtarisht bien dakord për të zbatuar dy projekte të kësaj zyre të KB-së në vendin tonë.
Zëvendëskryeministri Nikollovski, nga ana tjetër, duke e uruar nënshkrimin e kësaj marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme, si pjesë e përpjekjeve institucionale dhe aktiviteteve në ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme dhe standardeve për luftë kundër krimit të organeve kompetente për zbatimin e ligjit, potencoi se për ne si vend, është me rëndësi të veçantë mbështetja dhe ndihma e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, të cilën ne do të marrim përmes aktiviteteve të planifikuara të koordinuara në parandalimin e krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit.
Sipas Nikollovskit, bëhet fjalë për një projekt global sepse deri më tani janë rrjetëzuar 34 aeroporte, jo vetëm në rajon por edhe në kontinentet e tjera.
“Projektet japin rezultate të suksesshme kudo në botë, unë pres që edhe tek ne të kemi zbatim efikas, me rezultate të dukshme shpejt”, tha Nikollovski.
Përndryshe Letra për marrëveshje i referohet dy aktiviteteve të programit – e para, e krijuar si një Projekt për komunikim të aeroporteve e cila synon të vendosë një komunikim operativ në kohë reale midis aeroporteve për ta parandaluar dhe luftuar me krimin ndërkombëtar dhe terrorizmin; dhe e dyta – Programi për kontrollin e kontejnerëve për ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin e rrezikut, sigurinë e zinxhirit të furnizimit dhe lehtësimin e tregtisë në porte, aeroporte dhe vendkalime kufitare tokësore në drejtim të parandalimit të lëvizjes ndërkufitare të mallrave të paligjshme.
Nënshkruesi i Letrës për marrëveshje, Drejtori i departamentit për çështje të kontratave të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin në Vjenë, Xhon Brandolino përmes një video lidhje në fjalimin e tij përshëndetës shprehu mirënjohje për Qeverinë për anëtarësimin në “Projektin për komunikim të aeroporteve – AIRCOP) Vendosja e komunikimit operativ në kohë reale midis aeroporteve për ta parandaluar dhe luftuar krimin ndërkombëtar dhe terrorizmin”, me sigurinë se zbatimi i këtij projekti do të japë rezultate të shkëlqyera në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Brandolino e shprehu gatishmërinë e UNODC për mbështetjen e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit, në pjesën e sigurimit të aktiviteteve për ndërtimin e kapaciteteve të personelit të grupit të aeroportit, si dhe të një numri të caktuar të punonjësve nga shërbimet e tjera shtetërore dhe civile të cilët punojnë në aeroport, me qëllim të zbulimit dhe përgjimit të udhëtarëve me rrezik të lartë për shkak të parandalimit të tregtisë së paligjshme përmes trafikut ajror.