Pas pothuajse punë dyorëshe të Kuvendit dhe pas caktimit të rendit të ditës të seancës së 32-të dhe 30-të, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi hapi debat rreth Propozim-vendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Propozim-vendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është pika e parë e rendit të ditës të seancës së 32. Për Avokat të Popullit është propozuar Naser Zyberi. Ai është propozuar për Avokat të Popullit nga ana e BDI-së, por kundër kandidaturës së tij qëndroi grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Zyberi i cili është noter, ishte kandidat për kryeministër i BDI-së në fushatën në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Para se të votohet rendi i ditës së seancës së 32-të, Syrija Rashidi i Aleancës për Shqiptarët propozoi të hiqet nga rendi i ditës Propozim-vendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, por nuk mori mbështetje nga deputetët.
Ai elaboroi se ka shumë arsye për këtë, mes të cilave janë rëndësia e institucionit avokat i popullit në sistemin juridik të vendit.
“Nëse merret parasysh se të gjitha procedurat për zgjedhjen e avokatit të popullit ishin jotransparente dhe në kundërshtim me funksionin avokat i popullit, dhe nëse merret parasysh se bëhet fjalë për person i cili së paku duhet të quhet jopolitik, për shkak të faktit që vetëm para gjashtë muajve ishte kandidat për kryeministër i një partie politike dhe sepse sot na propozohet nga një parti politike në pushtet, mendoj se kjo pikë duhet të hiqet nga rendi i ditës”, deklaroi Rashidi.
Konsideron se duhet të ndërpritet e gjithë procedura e tanishme për zgjedhjen e avokatit të popullit, të përsëritet procedura e njëjtë. “Të hapim debat të vërtetë në opinion me qëllim që të vijmë deri te një person i cili në mënyrë dinjitoze do ta kryejë funksionin, që i ngjan një avokati të popullit”, theksoi Rashidi.
Në rend dite të kësaj seance janë gjithsej 48 pika, mes të cilave raportet vjetore për punën e më shumë institucioneve në vitin 2019.