Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Bërnz, e ka përkrahur miratimin e Ligjit për regjistrim në Kuvend. Në intervistë për Zërin e Amerikës, ajo vlerëson se ky është një hap i rëndësishëm para, pasi në vend popullata dhe prona nuk janë regjistruar pothuaj 20 vite, ndërsa ky operacion statistikor është kyç për krijimin e politikave të ardhshme zhvillimore.
“Para se gjithash, shumë jam e lumtur që Ligji për regjistrim kaloi në Kuvend. Edhe më tepër që kaloi me përkrahje të dy partnerëve opozitarë, dhe koalicionit qeveritar. Ky është hap i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut nuk ka pasur regjistrim pothuaj 20 vite, e kjo është shprehur ndaj procesit të udhëheqjes së politikave, pasi të dhënat e sakta për popullatën janë pjesë e rëndësishme në planifikimin e ardhmërisë. Presim që Qeveria të sigurojë që regjistrimin ta bëjnë profesionist, gjë që do të sigurojë informata të cilat do t’i ndihmojnë shtetit lidhur me ardhmërinë”, deklaroi Bërnz.
Sipas Ligjit, regjistrimi në Maqedoninë e Veriut do të zbatohet prej 1 deri më 21 prill.
Nga pavarësia e vendit e deri tani janë zbatuar dy regjistrime të plota, një i pjesërishëm në vitin 1991, ndërsa tentimi për numërim të popullatës, të cilin e organizoi qeveria e VMRO-DPMNE-së në vitin 2011, dështoi.