Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Malin e Zi me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Gjorge Radulloviq.
Siç kumton MPJ-ja, në suaza të vizitës, Osmani do të ketë takime me të gjithë kreun shtetëror të vendit. Përveç homologut të tij, Osmani do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, Kryeministrin, Zdravko Krivokapiq dhe me Zëvendëskryeministrin, Dritan Abazoviq.
“Pritet, në bisedimet të konfirmohen marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore midis dy vendeve, por edhe rishikimi i mënyrave për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht atë ekonomik, i cili duhet të ndjekë marrëdhëniet shumë të mira politike, nëpërmjet gjetjes së formave dhe përmbajtjeve të reja për rritjen e shkëmbimit tregtar”, theksojnë nga MPJ-ja.
Në shkëmbimin e mendimeve dhe pikëpamjeve, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, si aleatë dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, në të cilin të dy vendet kanë një qëllim dhe perspektivë të përbashkët. Në këtë kontekst, do të bisedohet edhe për bashkëpunimin dhe iniciativat rajonale, të cilat luajnë rol kryesor në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe rëndësinë e tyre për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të ardhmen evropiane të secilit vend individualisht dhe rajonit në tërësi, qëndron në kumtesë.