Kategoritë

POLITIKË Kuvendi e miratoi Ligjin për regjistrim

Kuvendi në kuadër të vazhdimit të seancës së 29-të me 62 vota “pro”, pa “të përmbajtur” dhe pa asnjë “kundër” e miratoi Ligjin për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021. Për regjistrimin kanë votuar edhe 29 deputetë pjesëtarë të bashkësive etnike.

Për ligjin votuan edhe deputetët nga shumica në pushtet LSDM, BDI dhe BESA si dhe partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në votim.

Para votimit, në disa vërejtje procedurale, opozita i shprehu vërejtjet e saja për ligjin dhe arsyet e mosbesimit në proces. Me kërkesë të koordinatorit të VMRO-DPMNE-së, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dha pushim prej një orë.

Të dhënat e marra nga regjistrimi do të përdoren për të krijuar politika zhvillimore, planifikim makroekonomik, kërkime shkencore dhe qëllime të tjera statistikore. Të dhënat individuale nga Regjistrimi mund të përdoren për krijimin, mirëmbajtjen dhe azhurnimin e regjistrave statistikorë që janë nën kompetencat e Entit Shtetërore për Statistikë në përputhje me Ligjin.

Të dhënat personale të marra me Regjistrimin i nënshtrohen mbrojtjes konform me dispozitat e këtij Ligji, Ligjit për statistikat shtetërore dhe rregulloreve nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale.

Regjistrimi do të kryhet në periudhën nga 1 deri në 21 prill 2021, sipas situatës më 31 mars 2021, në ora 24:00, që do të konsiderohet një moment kritik i regjistrimit.

Me regjistrimin do të mblidhen të dhëna për popullsinë, amvisëritë dhe banesat në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë regjistrimit, do të kryhet regjistrimi në terren dhe do të përdoren në të njëjtën kohë të dhënat e mbledhura nga ana e MPB-së nga baza e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MSHIA të dhëna të përfshira në regjistrin e popullsisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MASH nga të dhënat për nxënësit e regjistruar në shkollat ​​fillore dhe të mesme në vitin aktual shkollor, nga MPPS nga të dhënat për personat shfrytëzues të të drejtave të të ardhurave sociale në të gjitha kategoritë, nga Agjencia për punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga të dhënat për aktivitetin ekonomik të personave, nga DAP nga të dhënat për personat që kanë të ardhura dhe për të cilat paguhet tatim për të ardhurat personale, nga FSPIMV- Fondi i sigurimit pensional dhe invalidor i Maqedonisë nga të dhënat për përfituesit e pensionit për të gjitha bazat , nga Drejtoria për udhëheqje të librave amë, të dhënat nga librat amë të të lindurve, të vdekurve dhe personave të martuar, nga Agjencia e Kadastrës së Pasurisë së Patundshme nga të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme dhe lëvizjet e tyre, si dhe nga Enti shtetëror për statistikë nga të dhënat nga hulumtimet statistikore për studentët e regjistruar në studime universitare (cikli i parë) në fakultete dhe shkolla të larta profesionale në vitin akademik, si dhe të dhëna nga hulumtimet statistikore për ngjarjet jetësore dhe nga Regjistrin Statistikor i Bizneseve.

Regjistrimi do të realizohet me përdorimin e kompjuterit transmetues, në një aplikacion të veçantë, ku detyrimisht zbatohen masat teknike dhe organizative në përputhje me rregulloret në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Debati për Propozim ligjin në Kuvend me të cilin do të mundësohet në vend të realizohet regjistrim pas 19 viteve, përfundoi më 15 janar.

Në vend regjistrimi i parë është realizuar në vitin 1948. Janë realizuar tetë regjistrime, ndërsa i fundit në vitin 2002. Në vitin 2011 ka filluar të realizohet një operacion i tillë statistikor, por ai u ndërpre.