Kategoritë

KOVID-19 Janë kryer 2.608 mbikëqyrje dhe kontrolle javën e fundit, janë mbyllur pesë objekte hotelerie

Gjithsej  janë kryer 2.608 mbikëqyrje dhe kontrolle në bazë të respektimit të protokolleve shëndetësore dhe ligjeve materiale  nga data 4 deri më 10 janar, nga ana e shtatë shërbimeve të inspektimit. Janë mbyllur pesë objekte hotelerie.

Në këtë rast, siç bënë të ditur nga Qeveria, vërehet se edhe më tej po ulet numri i vendimeve të lëshuara nga ana e Inspektoratit Shtetëror  Sanitar dhe Shëndetësor, për izolim të personave të sëmurë nga virusi korona dhe personave të cilët kanë qenë në kontakt me persona të sëmurë.

Në shtatë ditët e fundit Inspektorati Shtetëror i Tregut  ka kryer 1.1789 kontrolle dhe 156 mbikëqyrje lidhur me respektimin e protokolleve shëndetësore për hapjen dhe punën e kafeneve dhe objekteve hotelerie të cilat shërbejnë ushqim dhe në bazë të ligjeve materiale. Në këtë rast, ISHT ka shqiptuar 14 kallëzime për kundërvajtje, 42 vendime për parregullsi të konstatuara, si dhe 14  urdhëresa pagese për kundërvajtje. Nga numri i përgjithshëm të vendimeve, pesë vendime janë shqiptuar për mosrespektim të Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive. Vendimet janë lëshuar një objekti hotelerie në Shkup, një në Ohër dhe tre objekteve në Gostivar, për shkak të mosrespektimit  të orarit të lejuar të punës, me ç’rast objektet janë mbyllur menjëherë.

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor në periudhën prej datës 4 deri më 10 janar, ka kryer 40 mbikëqyrje. Në këtë rast ISHSSH në periudhën e theksuar ka lëshuar gjithsej 3.900 vendime për  izolim dhe trajtim në shtëpi të personave pozitivë ndaj virusit korona dhe personave të cilët kanë qenë në kontakt me persona të sëmurë me Kovid-19, që paraqet ulje në raport me periudhën e kaluar.

Inspektorati për Transport, në periudhën e njëjtë ka kryer 22 mbikëqyrje, me ç’rast për mosrespektim të ligjeve materiale janë shqiptuar tre kallëzime për kundërvajtje, një vendim dhe një urdhëresë pagese për kundërvajtje.

Agjencia për Barna  dhe  Pajisje Mjekësore (MALMED) në periudhën e njëjtë ka zbatuar nëntë mbikëqyrje në farmaci dhe kompanive farmaceutike në bazë të respektimit të masave të Qeverisë gjegjësisht për formimin e çmimeve të mjeteve mbrojtëse nga korona, me ç’rast nuk janë konstatuar parregullsi.

Në periudhën nga 4 deri më 10 janar, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ka kryer 173 mbikëqyrje, me ç’rast janë lëshuar  tre vendime dhe janë zbatuar 15 edukime.