Test për kontroll të integritetit të anëtarëve të Qeverisë dhe këshilltarëve të tyre dhe urdhëresa me të cilat do të kufizohet shfrytëzimi i kartelave zyrtare, automjeteve dhe pronës tjetër me të cilën disponojnë funksionarët, janë pjesë e aktiviteteve të planifikuara për këtë vit që sot i paralajmëroi zëvendëskryeministri i obliguar për luftë kundër korrupsionit, krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore, Lupço Nikollovski.
Në konferencën për shtyp në Qeveri, Nikollovski tha se nuk ka të paprekshëm dhe se secili që e ka shkelur ligjin, do të mbajë përgjegjësi. Fokus i veçantë do të vendoset në rastet për të cilat ekziston dyshim për korrupsion të lartë. Vitin 2021 e paralajmëroi si vit i antikorrupsionit në të cilin do të udhëhiqet fushatë për ngritje të vetëdijes te qytetarët për efektet negative të korrupsionit, ndërsa në çdo Ministri do të zgjidhet administratori më i mirë i vitit me qëllim që të përforcohet vetëdija për luftë kundër korrupsionit.
“Qëllimi ynë është të punojmë që të krijojmë jetë më të mirë për çdo qytetar, ndërsa atë ta sigurojnë funksionarë të ndershëm dhe institucione të llogaridhënies të cilat punojnë në interes të popullit dhe shtetit, ndërsa jo në interes personal ose partiak. Në vitin 2021 vazhdojmë me implementimin e rekomandimeve të GREKO-s”, thekskoi Nikollovski.
Ai theksoi se bëhet edhe analizë e të drejtave diskrecionale të funksionarëve dhe prejardhjes së pronës, për të cilat, siç paralajmëroi, do të vijojnë vendime ligjore.
Këtë vit do të zbatohet edhe projekt për interoperabilitetin ndërmjet të gjitha sistemeve antikorruptuese me të cilën nëpërmjet rrugës elektronike në bazë ditore, të gjitha institucionet do të mund t’i marrin dhe këmbejnë të dhënat e lidhura me korrupsionin. Me këtë, sipas Nikollovskit, do të ketë rezultate të shpejta dhe efikase në zgjidhjen e rasteve për të cilat ekziston dyshim për korrupsion.
“Askush nuk do të guxojë të fshehë dhe ngadalësojë raste ku ka dyshime të krimit dhe korrupsionit. Askënd nuk do ta dënojmë prej përpara, por kemi detyrë dhe obligim të gjitha informatat menjëherë t’i dorëzojmë te institucionet kompetente që procedurat dher proceset të përfundojnë menjëherë, ndërsa qytetarët t’i shohin rezultatet. Nëse ka korrupsion kuptohet se vijon dënimi. Nëse nuk ka, atëherë vazhdojmë më tutje”, tha Nikollovski.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë këtë vit do të punohet edhe në ekipimin dhe digjitalizimin e qendrave hulumtuese në prokuroritë publike, sepse është konstatuar që vetëm katër prej gjithsej 23 prokurorive themelore publike kanë ndonjë lloj të qendrave hulumtuese të cilat, edhe pse janë operative, nuk janë mjaft të ekipuara dhe digjitalizuara.
Në lidhje me monitoringun në gjyqësi, Nikollovski tha se së bashku do të punojnë me Ministrinë e Drejtësisë, sepse qëllimi është problemet të zgjidhen në mënyrë sistematike, ndërsa jo parciale.
Një nga risitë e rëndësishme, sipas Nikollovskit, do të jetë edhe vendosja e regjistrit të pronarëve të vërtetë, projekt i cili punohet së bashku me Regjistrin Qendror.
“Do të tregojmë se mund të jemi shtet i rregulluar në të cilin ka rend dhe disiplinë, shtet në të cilin i zgjidhim problemet me shtresa, shtet në të cilin do të arrijnë politikanët e ndershëm. Secili që do ta shkelë ligjin, do të përballet me përgjegjësi, sepse askush nuk është mbi ligjin. Duhet të ketë rend njëherë e përgjithmonë”, porositi Nikollovski në konferencën për shtyp në Qeveri.