Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve pret që sot ta mbajë seancën në të cilën duhet ta konfirmojë listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), mandati i të cilit skadon më 15 janar. Konkursi për anëtarët e KSHZ-së përfundoi, ndërsa sipas informacioneve të MIA-s nga Kuvendi, deri më tani kanë arritur aplikime nga 14 kandidatë mes të cilëve ka edhe ish-anëtarë dhe anëtarë aktualë, por edhe të punësuar në shërbimet në Komision dhe juristë.
Deri më tani, vetëm nga VMRO-DPMNE-ja ka arritur konfirmim zyrtar se do të mbështesin profesorin Aleksandar Dashtevski për kryetar të KSHZ-së. Partia opozitare ka edhe një vend tjetër në KSHZ dhe sipas burimeve të partisë, anëtari i ri i KSHZ-së që mbështetet nga partia me siguri do të jetë Boban Stojanovski, punonjës në Kuvend.
Nga LSDM-ja tani për tani nuk ka informacione për atë se cilët tre anëtarë të kandidatëve do t’i mbështesnin ata. Në konkurs janë paraqitur edhe anëtarët aktualë të KSHZ-së që mbështeten nga partia në pushtet Boris Kondarko, Janake Vitanovski dhe Radica Risteska.
Gjithashtu nuk ka informacion zyrtar se kush do të jetë anëtar i KSHZ-së i mbështetur nga partneri i koalicionit i LSDM-së, BDI. Në konkurs sipas informacioneve nga Kuvendi, është paraqitur edhe nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.
Kandidat të vet do të ketë me siguri edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila është në një koalicion me Alternativën, dhe si kandidat që do të mbështetet theksojnë juristin Krenar Lola.
Sipas procedurës, pasi sot Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve do ta konfirmojë listën e kandidatëve, e dërgon deri tek kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili nga ana tjetër e dërgon atë te partitë që duhet të deklarojnë se cilët kandidatë mbështesin për anëtarët e organit më të lartë zgjedhor në shtet. Lista me kandidatët e mbështetur dorëzohet mbrapa tek Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, i cili e përcakton dhe më pas ajo dorëzohet tek plenumi i cili duhet të votohet për të. Nuk ka afat për partitë, por procedura, sipas përvojave të deritanishme, mund të përfundojë brenda një dite.