Republika e Maqedonisë së Veriut në shkurt i merr dozat e para të vaksinës “Fajzer” kundër Kovid-19. Djr pasdite është arritur marrëveshje e drejtpërdrejtë me kompaninë, ndërsa sasia do të dihet në javët në vijim. Dozat e ardhshme të vaksinës “Fajzer” do të mbërrijnë në mars dhe prill, kumtoi Ministria e Shëndetësisë
Ministria informon se vazhdon me bisedimet për sigurimin e vaksinave edhe përmes negociatave me vendet anëtare të BE-së, si dhe përmes mekanizmit Kovaks, nga ku, siç theksohet, pritet orari dhe data për shpërndarjen e sasive të para.
“Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për të gjithë qytetarët dhe hapi i parë drejt një fitore përfundimtare mbi pandeminë”, potencohet në kumtesë.
Ministria informon se në janar priten edhe frigoriferët për ruajtjen e këtyre vaksinave dhe kështu, siç thuhet, sistemi shëndetësor i Maqedonisë të Veriut do të jetë plotësisht i përgatitur për vaksinimin.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në seancën e djeshme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve informoi se disa muaj më parë ai mori ofertë nga ambasadori rus në vendin tonë Sergej Bazdnikin për vaksinën ruse “Sputnik 5”, por atëherë ishte në fazën e tretë të provave klinike, ndërsa procesi, i cili e garanton sigurinë e saj, nuk ishte përfunduar plotësisht.
“Muajt e fundit, ai proces ka përfunduar dhe hyn në një nga pjesët e mekanizmit KOVAKS. Jo i aprovuar plotësisht. Sidoqoftë, është e qartë se “Sputnik 5″ rus do të arrijë në grupin zyrtar të të gjithë prodhuesve përmes KOVAKS. Pra, ne do të jemi në gjendje ta marrim edhe këtë vaksinë me vendim të OBSH-së dhe Aleancës Gavi”, deklaroi Filipçe.
Ministri theksoi se nuk kishte asnjë mundësi për ta marrë vaksinën ruse në momentin kur na u ofrua për herë të parë, sepse procesi i provës klinike nuk ishte përfunduar.
Ai informoi se me kryeministrin, Zoran Zaev sot arritën të nënshkruajnë marrëveshje me kompaninë “Fajzer”, ndërsa vaksinat e para duhet të mbërrijnë në shkurt.
“Kjo është e vetmja vaksinë që është aprovuar nga dy komisionet rregullatore të SHBA-së dhe Evropës, FDA dhe EMA. Vaksina është e vetmja që i ka kaluar të gjithë mekanizmat kontrolluese shumë të rreptë të këtyre organeve administrative, tha Filipçe.
Dje janë bërë 2.366 teste, ndërsa janë regjistruar 493 raste të reja me Kovid-19. Janë shëruar gjithsej 450 pacientë, ndërsa kanë ndërruar jetë 15 persona, të gjithë në kushte spitalore.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikurve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 82.794, numri i pacientëve të shëruar është 60.706,, i të vdekurve është 2.488, ndërsa numri i rasteve aktive është 19.600.
Deri më tani, janë bërë gjithsej 399.163 teste të Kovid-19 në vendin tonë.
Ndërsa në 24 orët e fundit në shtëpi janë lëshuar 35 pacientë të shëruar.
Për momentin në Klinikën e lëkurës në kovid-qendër po mjekohen 13 pacientë, në Klinikën për neurologji 20 të sëmurë, ndërsa në Institutin për TBC janë pranuar gjithsej 24 pacientë me simptoma të koronavirusit, në kovid-qendrën e Klinikës për nefrologji për momentin janë të vendosur 22 pacientë, në Klinikën për sëmundje të syve 12 pacientë, ndërsa në ORL 11 pacientë. Në Klinikën për gastroenterohepatologji janë të shtrirë 19 pacientë.
Në SPQ “8 Shtatori” ka gjithsej 99 të sëmurë, në Klinikën për sëmundje infektive janë të shtrirë 135 pacientë, ndërsa në Institutin për sëmundje të mushkërive tek fëmijët Kozle ka 41 pacientë.
“Gjithsej 391 pacientë të konfirmuar dhe të dyshuar për KOVID-19 po trajtohen në repartet e sëmundjeve infektive të spitaleve të kryeqytetit. Shumë prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Edhe krahas numrit të madh të pranimeve gjatë ditës së djeshme, në mëngjes deri në orën 8 ka pasur 115 vende të lira, ndërsa pritet gjatë ditës pas lëshimeve të bëra të pacientëve të shëruar të lirohen edhe shtretër plotësues”; kumtojnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe shtojnë se të gjitha repartet infektive kanë sasi të oksigjenit dhe mund të kujdesen për pacientët të cilët kanë nevojë për mbështetje oksigjeni.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dje të gjithë qytetarëve ua uron festat e krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke apeluar që në këtë periudhë të respektohen masat dhe rekomandimet restriktive për të shmangur rritjen e numrit të të infektuarve nga KOVID-19.
Përkujton se për periudhën prej më 18 dhjetor deri më 20 janar, ekziston kufizim i orarit të punës së objekteve hotelierike deri në orën 18:00. Është në fuqi edhe ndalesa për organizimin e festave të Vitit të Ri në ambient të hapur dhe të mbyllur për të gjithë qytetarët, për komunat, organizatat e punës, si dhe ndalesë për punë pas orës 21:00 në restorantet dhe në objektet hotelierike. Ndalohet mbledhja në grupe (grupimi) i më shumë se katër persona në ambient publik, gjegjësisht parqe, hapësira publike ose kudo në ambient të hapur gjatë gjithë ditës.
Mbeten aktive edhe rekomandimet e qarta deri te komunitetet fetare, që të mos thirrin në tubime masive dhe grupime gjatë festave fetare në vijim.
“Sipas rekomandimeve, apelojmë që të mos dilet nga shtëpia pas ndonjë arsye të rëndësishme pas orës 18:00, që të shmangen rreziqet nga krijimi i grupeve të qytetarëve. Në amvisëri, me rastin e festave dhe kremtimeve familjare, t’i respektojmë rekomandimet që në kuadër të një amvisërie të mos ketë më shumë se katër persona prezent si mysafirë”, theksojnë nga Qeveria.Shkelja e masave të detyrueshme, rregullave, restrikcioneve dhe protokollove për parandalim dhe mbrojtje nga virusi korona dënohet për shkak të rrezikimit të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.“Me sjelljen tonë të përgjegjshme të tregojmë respekt dhe falënderim edhe për përfaqësuesit e ministrive, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, pjesëtarët e Kryqit të Kuq dhe Brigadës së Zjarrfikësve, si dhe për punonjësit mediatik, të cilët janë në radhët e para në luftën, ballafaqimin me korona-krizën dhe raportimin për të. Të festojmë në mënyrë të përgjegjshme!”, porosisin nga Qeveria.
Krerët e kishave dhe bashkësive fetare në vend dhe drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Komunitetet Fetare dhe Grupet Religjioze (KMKFGR), Darian Sotirovski bënë thirrje për respektimin e masave dhe festimin e tyre me përgjegjësi pas takimit të sotëm në Klubin e deputetëve në Shkup.
Në takim, siç u njoftua nga KMKFGR, përveç Sotirovskit, ishin të pranishëm edhe kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefan, Reisul Ulema në BFI. hfz Shaqir ef. Fetai, ipeshkvi i Shkupit dhe Ipeshkvi i Strumicës-Shkup, imzot Kiro Stojanov dhe imzotii EMC Marjan Dimov. Për shkaqe objektive mungoi kryetarja e e Bashkësisë hebraike të RMV, znj. Berta Romano Nikoliq.
Duke pasur parasysh periudhën e ardhshme, liderët fetarë njëzëri u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i përmbahen të gjitha masave për mbrojtjen e koronavirusit të përshkruara nga autoritetet shëndetësore, për të mos humbur durimin, sepse në vigjilje të imunizimit përgjegjësia për kontrollin e virusit bie mbi secilin prej nesh.
“Të festojmë me përgjegjësi, të jemi në rrethin e familjes dhe të shmangën tubimet, përveç kur është e nevojshme, por me respektim të vazhdueshëm të detyrimit për mbajtje të distancës dhe për mbajtje të maskë mbrojtëse”, porositën liderët fetarë.
Liderët fetarë në takim shkëmbyen mendime mbi reformat në arsimin fillor dhe unanimisht kërkuan nga Ministria kompetente e Arsimit përfshirjen e kishave dhe komuniteteve fetare në diskutimin publik mbi ndryshimet e propozuara të ligjit në mënyrë që të ruhet dhe promovohet tema e etikës në fe dhe mbrojtja e të drejtat e mësuesve që e ligjërojnë atë, por gjithashtu duke u mundësuar fëmijëve të mësojnë në disiplinat thelbësore shkencore duke shmangur zgjidhjet që sipas vlerave tona shoqërore nuk do të ishin të përshtatshme.