Kategoritë

(VIDEO) Xhabir Deralla: Të bashkuar në dallime, nga sot, tani!

Shkruan dhe flet: Xhabir Deralla

Sa edhe të jenë gojëmbël, sa edhe të fshihen pas pozitave të tyre akademike, politike ose sociale, titujve dhe statuseve, nacionalistët janë dhe do të mbeten mashtrues dhe dhunues të thjeshtë. Paragjykimet dhe urrejtja i zbulojnë pasigurinë dhe paaftësinë të përballen me realitetin, të ndërtojnë të sotmen për vete dhe për tjerët, të ndërtojnë ardhmëri për gjeneratat e ardhme, për pasardhësit që do të vijnë.

Nacionalistët dhe liderët e tyre janë të mbyllur në vende të errëta dhe të ftohta ku sundon heshtja që e kërkon despoti nga subjektet e tij. Ata që i nënshtrohen nacionalizmit dhe urrejtjes, vullnetarisht pajtohen edhe me robërinë e tyre. Ato janë qeli të ngushta në të cilat sundon sëmundja dhe shkatërrimi. Edhe shërbimi i njëmendësisë dhe i rrethit të mbyllur të fuqishmëve që pasurohen në shpinë të atyre që janë të frikësuar, të ndarë dhe të hidhur.

Nacionalistët jetojnë në botë imagjinare ku legjendat, përrallat e marra dhe faktet janë të gërshetuara. Kjo është hapësirë ku urrejtja etnike dhe shovinizmi krijohet nga shëmbëlltyra gjakpirëse në akademitë, politikën dhe institucionet, në vendet e punës, në shkollat dhe amfiteatret universitare, në kafenetë dhe çajtoret, në stadiume, madje edhe në çerdhet…

E mbrojtur me nënçmim dhe mosnjohje të ndërsjellë, çdo kope etnike ndërton mite për “madhështinë” e kombit të vet dhe “mosqenien” e tjerëve. Dhe kështu, krijohen dhe mbahen në jetë këto bota paralele, me mite dhe gënjeshtra të thurura në çdo pore të jetës…

Dallimet janë pasuri dhe përparësi në çdo kuptim të fjalës, në çdo vend dhe në çdo kohë.

Toleranca dhe respektimi i dallimeve nuk janë paragrafë në ndonjë meny, e sot do t’i zgjedh, e nesër jo. Parimet e tolerancës vlejnë çdo ditë, jo të kuptuare në mënyrë vulgare dhe të shtrembëruar, por si bazë e shoqërisë përfshirëse, për kujdesin për çdo njeri, pavarësisht prejardhjes, përkatësisë, përcaktimit ose statusit social.

Barazia u takon të gjithëve, askush nuk mundet ta jep, askush nuk ka të drejtë ta merr.

Shpeshherë duket e pamundur, por… Toleranca, zgjidhja paqësore e konflikteve dhe respektimi i kundërshtarëve, dhe jo shpallja e tyre për armiq, është një nga mënyrat më të mira për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe krijimi i një bote më të mirë për njerëzit. Respektimi dhe kultivimi i dallimeve e bëjnë njeriun më të madh dhe më të pasur. Dhe varet nga secili prej nesh.

Nëse e keni lëshuar ditën e djeshme, nuk do të thotë se nuk mund të bëheni njerëz më të mirë nga sot.

Çdo ditë jemi të drejtuar para zgjedhjes. Varfëria monokromatike e shpirtit ose pasuri e pashtershme e dallimeve. E keqja, frika, përçarje dhe dhunë, ose mirësia, solidariteti dhe njerëzimi. E ardhmja apo jo e ardhmja.

Kjo përmbajtje është pjesë e Nismës “Të bashkuar në dallime”, kushtuar promovimit të dallimeve si përparësi, pasuri dhe cilësi e shoqërisë  tonë. Nismën e udhëheq CIVILi, me mbështetje nga Ministria për punë të jashtme dhe çështje evropiane e Dukatës së Madhe  Luksemburg.