Këshilli për reforma në gjyqësor sot do të konfirmojë metodologjinë për pastrimin e gjyqësorit. Ky proces, siç u paralajmërua nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në konferencën për shtyp me rastin e 100 ditëve të Qeverisë, është parësor për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
“Seanca të gjata gjyqësore, vonesa të panumërta, procedura joefikase. Kjo është arsyeja pse në 100 ditët e para me Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve publikë kemi punuar intensivisht në përgatitjen e një metodologjie, sipas së cilës gjyqësori dhe prokuroria do të filtrohen vitin e ardhshëm. Sipas mendimit tonë, kjo është mënyra më e mirë që ky profesion të pastrojë radhët e saj”, tha ministri i Drejtësisë.
Të gjithë ata gjykatës ose prokurorë, siç tha Mariçiq, të cilët kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, kanë kryer shkelje në procedurë, i kanë vonuar qëllimisht ato ose kanë vepruar në mënyrë joprofesionale, do të filtrohen nga sistemi i drejtësisë. Një fokus i veçantë, shtoi ai, do të vihej në rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.