Në kovid-krizën, kemi vendosur dy përparësi – ruajtjen e çdo vendi pune dhe kujdes dhe mbështetje të kategorive më të rrezikuar të qytetarëve për ta tejkaluar më lehtë krizën, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska në fjalimin për një qind ditët e para të mandatit.
Është formuar një sistem i cili i absorbon familjet në rrezik, veçanërisht në kohë krize, tha ajo, duke shtuar se është siguruar qasje e lehtësuar në ndihmën minimale të garantuar dhe shtesën arsimore. Numri i familjeve që marrin ndihmë minimale të garantuar është rritur me 5500 krahasuar me shkurtin e këtij viti, ndërsa me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve janë krijuar kushte që rreth 16 mijë fëmijë ta ushtrojnë të drejtën e shtesës arsimore.
“Morëm pjesë në përgatitjen e pakos së katërt të masave ekonomike që përfshiu 182,000 pensionistë, 84,000 punëkërkues pasivë, 8226 përfitues të pensionit social dhe 5570 prindër të vetëm, që mbuloi gjithsej 283 mijë qytetarë”, tha Shahpaska në llogaridhënien për 100 ditë të mandatit.
Kumtoi se për 0.6 për qind është më e ulët papunësia krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar dhe tani është në 16.5 për qind. Gjatë pandemisë, siç tha ajo, po zbatohen masat nga Plani Operativ për programet aktive dhe masat e punësimit, disa me realizim 100 për qind, siç është masa për subvencionimin e pagave, për vetëpunësimin, si dhe Garancia e Rinisë përmes së cilës gjashtë mijë të rinj deri në 29 vjeç u punësuan.
Në javën e parë të marrjes së detyrës, tha ajo, ajo e paraqiti në procedurë Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, i cili u miratua në Parlament, i cili u jep qytetarëve mbrojtje në të gjitha bazat diskriminuese dhe komision si një organ profesional dhe i pavarur. Shpallja ka përfunduar, i takon Kuvendit ta bëjë zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit. Në pjesën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Ministrja theksoi, është edhe Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare, i cili është në procedurë parlamentare, dhe i përcakton institucionet që janë përgjegjëse për marrjen e masave parandaluese dhe urgjente për mbrojtjen e viktimave.
Për herë të parë, parashikohet sanksion për mosveprim me kujdesin e duhur, si dhe një përgjigje institucionale multidisiplinare për mbrojtjen e viktimave dhe riintegrimin e tyre në sistem.
“Këto janë dy ligje të rëndësishme në agjendën e reformave për procesin tonë të integrimit evropian,” nënvizoi Shahpaska.
Për t’ua bërë jetën më të lehtë personave me aftësi të kufizuara, kufiri i ndihmës personale është ulur nga 18 në gjashtë vjet, gjë që ishte edhe premtim zgjedhor. Ndërtimi i kopshteve është përshpejtuar, tre të reja janë hapur me kapacitet total prej 416 fëmijëve, ndërsa në fazën përfundimtare janë edhe katër për dyqind fëmijë që do të hapen muajin tjetër.
“Në njëqind ditët e para, ne filluam ndërtimin e tre kopshteve në Kriva Pallankë, Probishtip dhe Çair, ndërsa po ndërtohen edhe 15 kopshte të tjera, me ç’rast do të rritet kapaciteti për 1900 fëmijë të tjerë”, tha Shahpaska.
Për shërbimet sociale, tha, janë nënshkruar marrëveshje me 17 komuna. Shërbimi i ndihmës për të moshuarit dhe personave me aftësi të kufizuara do të jetë i disponueshëm në shtëpitë dhe në qendrat ditore. Në këtë mënyrë, shërbimet ulen në nivel lokal edhe në zonat rurale, ndërsa rritet edhe numri i njerëzve që si ofrues të shërbimeve fitojnë për jetesën e tyre.
“Procesin e deinstitucionalizimit e vazhduam, ne nënshkruam marrëveshje për dy shtëpi të tjera që do të strehojnë përdorues nga Enti në Demir Kapi. Në këtë mënyrë, ne vendosim standarde evropiane në kujdesin e më të pafuqishmëve që janë akomoduar në institucione”, theksoi Shahpaska dhe kumtoi se është duke përfunduar rikonstruimi i qendrës ditore për 6 deri në 26 vjet në Entin për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve në Shkup dhe po zgjerohen qendra ditore edhe në komunta të tjera.
Aktualisht, MPPS është duke punuar në dy ligje – Ligjin për Marrëdhëniet e Punës i cili i rregullon çështjet e punës, organizimin sindikal dhe legjislacionin që e përcakton të dielën si një ditë jo pune. Ka përfunduar edhe drafti versioni i Ligjit për barazinë gjinore, i cili, tha ministrja, është një hap përpara në krijimin e ekuilibrit gjinor në shoqëri në të gjitha fushat.
“Në njëqind ditët e para kemi treguar se me shumë punë dhe një qasje të përgjegjshme, problemet e qytetarëve mund të zgjidhen me sukses, madje edhe në kohë kaq të vështira. Ne jemi vetëm në fillim të mandatit, kemi shumë punë, projekte dhe zgjidhje ligjore në interes të qytetarëve. Ne vazhdojmë të punojmë përkushtimisht në interes të qytetarëve”, tha Shahpaska në një konferencë për shtyp kushtuar 100 ditëve të mandatit.