Vendet në të gjithë botën po fillojnë vaksinimin dhe shpërndarjen e vaksinave të regjistruara, dhe disa në Evropë kanë ndaluar fluturimet dhe trenat për në dhe nga Britania e Madhe pasi u shfaq një lloj i ri i koronavirusit – variant ose mutacion i KOVID-19 në juglindje të Anglisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dje kumtoi se raste ishin zbuluar edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi. OBSH është në kontakt me Londrën zyrtare dhe do të informojë opinionin pasi të jenë bërë kërkime urgjente mbi tiparet dhe implikimet e virusit të ri.
Lloji i ri i koronavirusit i identifikuar në Britaninë e Madhe është deri në 70 për qind më ngjitës por nuk konsiderohet vdekjeprurës, kështu që vaksina duhet të jetë efektive, tha kryeministri britanik Boris Xhonson.
Sipas ministrit britanik të Shëndetësisë Met Henkok, lloji i ri i koronavirusit është “jashtë kontrollit”, dhe epidemiologu kryesor britanik Kris Viti deklaroi se ai mund të përhapet më shpejt në mesin e popullatës, por deri më tani nuk ka indikacione që shkakton vdekshmëri më të lartë ose ndikon në vaksinat dhe trajtimet.
Numri i të infektuar me KOVID-19 në botë që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 77 milionë. Janë rikuperuar 54 milionë , 21.3 milionë janë aktualisht aktiv dhe 1.7 milionë njerëz kanë humbur betejën me konovirusin.
Në vendin tonë, numri i përgjithshëm i diagnostikuar arriti në 78 305, janë shëruar 54 034, 2292 vdiqën. Numri i rasteve aktive është 21 979, nga të cilat 11 822 janë në kryeqytet.
Në spitalet tona trajtohen 1217 pacientë, pozitivë dhe të dyshuar në Kovid-19, sipas statistikës së Ministrisë së Shëndetësisë drei dje.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se ka rreth 240 krevate të lira në qendrat për kovid, me paralajmërim se situata është e ndryshueshme sepse gjatë ditës ka pranime të reja, por bëhen edhe lëshime të pacientëve të shëruar dhe lirohen shtretër shtesë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 357 raste të reja me Kovid-19 prej 1.387 testimeve, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Në përfundim me ditën e djeshme 3,882,290 euro u dhuruan nga individë, kompani dhe institucione në fondin shtetëror të solidaritetit për luftën kundër koronavirusit. Kjo u njoftua nga Kryeministri Zoran Zaev në një postim në Fejsbuk me rastin e Ditës ndërkombëtare të solidaritetit njerëzor, duke theksuar se ne po i japim fund një prej viteve më të vështira në ekzistencën e vendit tonë.