Nuk ka afate për atë deri kur qytetarët do të mund ta shpenzojnë ndihmën financiare të siguruar nga grupi i katërt i masave të Qeverisë, e cila duhet t’u paguhet në fatura, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Fillimisht u vendos se deri më 25 dhjetor duhet të shpenzohet ndihma shtetërore e dhënë nga Qeveria për kategori të ndryshme të qytetarëve, për të cilën ne prezantuam disa herë, por tashmë kemi marrë një vendim që nuk do të ketë ndonjë afat të caktuar. Ne jemi të bindur që gjatë kësaj jave të gjithë qytetarët e atyre kategorive do të marrin ndihmën e tyre shtetërore pasi të kenë përfunduar të gjitha procedurat në Ministrinë e Financave, DAP dhe bankat ku ata i kanë llogaritë bankare. Domethënë, nuk ka afate, qytetarët do t’i marrin ato fonde dhe do të mund t’i përdorin kur kanë më shumë nevojë”, tha ministri Bekteshi.
Me paketën e ndihmës përfshihen 6.000 denarë për punëkërkuesit pasivë, pensionistë me pensione mujore deri në 15.000 denarë, përfitues të së drejtës së sigurimeve shoqërore për të moshuarit, të rinj të moshës 16 deri 29 vjeç që nuk kanë marrë para me masën e mëparshme, prindër të vetëm, fëmijë pa prindër dhe kujdes prindëror, artistë të estradës, kineastë. Vlerësohet se masa, për të cilën janë ndarë 27 milionë euro, do të sigurojë ndihmë për rreth 300.000 qytetarë për blerjen e produkteve vendore.