Me veton për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, qeveria bullgare po përdor letrën nacionaliste, kryesisht për shkak të një numri arsyesh të brendshme politike, pasojat e të cilave me siguri do të jenë të mëdha në planin afatmesëm dhe afatgjatë, vlerëson gazeta e Vatikanit “Oservatorio Ballkani e Kaukazo”.
Autori i analizës, Françesko Martino, konsideron se rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut është kthyer në një garë zhgënjyese me pengesa, e cila është më shumë si një odise.
“Pas vetos së gjatë të Greqisë për çështjen e emrit, të zgjidhur nga Marrëveshja e Prespës në vitin 2018, kur Maqedonia ra dakord të shtonte mbiemrin “e Veriut” në emrin kushtetues, tani Bullgaria është ajo që thotë “jo” për shkak të çështjeve që janë jo më pak kontraverse dhe të vështira për tu kuptuar për shumicën – trashëgimia historike dhe origjina e identitetit dhe gjuhës maqedonase”, citohet në tekst.
“Osevratorio” thekson se kontesti mbi identitetin dhe gjuhën maqedonase dukej se ishte zgjidhur me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë midis dy vendeve të nënshkruar në vitin 2017, por Sofja tani pretendon se ajo nuk është e kënaqur me mënyrën se si zbatohet dhe për të tërhequr veton kërkon që marrëveshja të bëhet pjesë e përmbajtjes së kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
“Mundësitë për të dalë nga bllokimi ekzistojnë, por ato janë të vogla. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut (por edhe e Shqipërisë) mund të zgjatet, duke nxitur paqëndrueshmëri të mëtejshme në rajon”, shtohet në analizë.
Gazeta thotë se pavarësisht nga këto mosmarrëveshje, shumë vetë dyshuan se Sofja do të vinte veton në rrugën evropiane të vendit, sepse “anëtarësimi i Shkupit në BE është në interesin strategjik të Bullgarisë”, por çekuilibri në politikën e brendshme bullgare nga protestat e gjata në rrugë siç duket e ka detyruar qeverinë të përdorë veton si një instrument klasik në prag të zgjedhjeve të pranverës së ardhshme, duke nxitur retorikën e fortë nacionaliste mbi temën e identitetit maqedonas, e cila tradicionalisht ka pasur mbështetje të fortë në Bullgari.
“Rreziku i bixhozit për qëllime elektorale mund të kushtojë: për çështjen maqedonase Bullgaria është e izoluar në nivelin evropian edhe pasi për një kohë të gjatë ishte një ” pjesëmarrëse model “, tani për herë të parë vendi përfshihet në listën e “problematikëve” si Polonia dhe Hungaria , por jo me të njëjtën peshë politike. Edhe një ndryshim i qëndrimit në minutën e fundit, për të cilin shumë analistë ende besojnë se është i mundur, do të lërë ende pasoja dhe dyshime në besueshmërinë e Bullgarisë”, vlerëson Oservatorio.
Sa i përket vendit, sipas gazetës, vetoja bullgare mund të ketë pasoja të rënda, duke pasur parasysh se për kryeministrin Zoran Zaev “anëtarësimi në BE është një fener i politikës së jashtme maqedonase” dhe bllokimi i mëtejshëm i saj mund të ketë pasoja në stabilitetin e qeverisë së tij dhe të vendit.
“Nëse ende nuk është e qartë se kush do të fitojë në kontestin midis Sofjes dhe Shkupit, humbësi mund të identifikohet me siguri – besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Ky proces, i ngadalësuar me kalimin e viteve nga “lodhja e zgjerimit” gjithnjë e më e dukshme dhe rezistenca në rritje nga disa shtete anëtare, përfshirja e kësaj pjese të Evropës – të cilën Brukseli gjithmonë e ka përcaktuar si një “përparësi strategjike” – sërish është pre e vetos për çështjet bilaterale, të cilat nganjëherë, si në këtë rast, janë pothuajse të pakuptueshme për ata që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në mosmarrëveshje”, konsideron autori i analizës Martino.
Sipas tij, kontesti midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut hedh një hije shtesë mbi qëndrueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe arritjen e qëllimit përfundimtar – përfshirjen e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Në fakt, shumë vende në Ballkanin Perëndimor kanë mosmarrëveshje apo konteste bilaterale me një ose më shumë fqinjë, të cilat janë komplekse dhe të dhimbshme, të rrënjosura në plagët akoma të freskëta të konfliktit që copëtuan federatën jugosllave. Rreziku i vetos që çon në një ngërç në proces është real, kështu që për të shmangur këtë skenar, mund të ketë ardhur koha që për anëtarësim të mos vlejë mekanizmi konsensual, i cili mund ta bëjë fatin evropian të një vendi peng të një logjike dritëshkurtër që nuk ka shumë lidhje me frymën dhe përparësitë strategjike të Bashkimit Evropian”, konkludohet në tekstin e gazetës “Oservatorio Ballkani e Kaukazo”.