Me veton e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria po përdor pozicionin e saj si anëtare e BE-së për të arritur disa nga interesat e saj të politikës së jashtme, në të njëjtën mënyrë si shumë të tjerë më parë, por problemi është se Bashkimi Evropian nuk duket se ka dëshirën dhe mënyrën për të dekurajuar veprime të tilla të njëanshme, thotë bashkëpunëtori i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë nga Beogradi, Orhan Dragash për “Euraktiv”.
“Fakti që Bullgaria bllokoi fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut nuk është as një risi dhe as një befasi. Ekziston një histori e gjatë e pengesave të fqinjësisë në rrugën e anëtarësimit në BE. Sllovenia bllokoi Kroacinë për shkak të kufirit me Gjirin Piran, Kroacia bllokoi negociatat me Serbinë sapo u bë anëtare e BE-së dhe Bullgaria bëri të njëjtën gjë pak para tre vjetësh, për shkak të pozitës së pakicës së saj në Serbi”, citon Dragash.
Ai përkujton se Greqia ka bllokuar vendin për dekada pa ndonjë shans për t’u integruar në BE dhe në NATO, derisa të ndryshojë emrin.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, BE-ja ka përsëritur se çështjet e pazgjidhura të fqinjësisë nuk duhet të jenë arsye që një anëtar i BE-së të vendosë veton për fqinjin e tij që nuk është anëtar në BE. Por kush do ta besonte këtë, veçanërisht pas vetos bullgare? Pra, problemi nuk është se Bullgaria kushtëzon pranimin e Maqedonisë, Bullgaria përdor vetëm pozicionin e saj si anëtare e BE-së për të arritur disa nga interesat e saj të politikës së jashtme, në të njëjtën mënyrë siç kanë bërë shumë të tjerë më parë. Dhe kjo është plotësisht e ligjshme. Por problemi është se BE-ja nuk ka dëshirë ose nuk gjen mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar veprime të tilla të njëanshme të anëtarëve të saj të plotëfuqishëm”, konkludon Dragash.
Sipas tij, me qëndrimin ndaj faktit se Bullgaria kushtëzon Maqedoninë e Veriut me çështje të historisë dhe të identitetit, BE-ja dhe Gjermania si kryetari i saj aktual lënë përshtypjen e “mosinteresimit më të madh dhe më të hapur deri më tani në hapjen e derës për anëtarët e rinj nga Ballkani”.
“As Brukseli dhe as kryeqytetet kryesore evropiane nuk po përpiqen të gjejnë fjalë ngushëlluese dhe optimiste për ata që janë akoma në dhomën e pritjes, ata thjesht nuk kanë më vullnet për ta bërë këtë,” shtoi eksperti.
Sipas Dragash, pas hapit të marrë të Bullgarisë kundrejt Maqedonisë së Veriut, është e vështirë të pritet një forcim i besimit të BE-së në Ballkan, i cili hap hapësirë që evropianët të zëvendësohen lehtësisht nga disa lojtarë të tjerë të mëdhenj botërorë, të cilat do të jenë të dëmshme si për BE-në ashtu edhe për rajonin.
“Vendin vacant të entuziazmit evropian do ta zërë dikush tjetër, planet e të cilit për të ardhmen e Ballkanit nuk kanë shumë hapësirë për përparim, siguri dhe zhvillim të popujve ballkanikë. Fatkeqësisht, në Ballkanin Perëndimor, ekziston ende një potencial i madh për konflikt, varfëri dhe korrupsion,” tha autori i artikullit në “Euraktiv”.Sidoqoftë, sipas tij, ndërsa Evropa nënvlerëson rrezikun e një vetoje Bullgare në rrugën e vendit drejt BE-së, rrethanë fatlume është se Shtetet e Bashkuara kanë një pozicion më të qartë dhe kërkojnë të zgjidhin çështje të tilla jashtë procesit të pranimit në BE.
“Duke gjykuar nga deklarata e Majkëll Karpenter, ish-këshilltar i Politikës së Jashtme të Xhozef Bajden, i cili tha se as Bullgaria dhe as Maqedonia e Veriut nuk fitojnë asgjë nga konflikti aktual dhe se vetëm ata që duan përçarje në Evropë përfitojnë nga kjo, kjo lloj prirje (në politikën amerikane) do të vazhdojë edhe në administratën e ardhshme”, konkludon Dragash.