Ministria e Shëndetësisë dhe tre spitalet më të mëdha private, “Sistina”, “Zhan Mitrev” dhe Re-Medika”, mbrëmë ranë dakord të bashkëpunojnë në luftën kundër KOVID-19. Deri në fund të kësaj jave, spitali i vjetër gjinekologjik “Sistina”, ish “Bogorodica e Vogël” do të shfrytëzohet si repart infektiv ku do të mund të mjekohen 100 pacientë, mjekimi do të jetë falas, në kurriz të shtetit, ndërsa për pacientët do të kujdeset një ekip mjekësh nga “Sistina”, Zhan Mitrev” dhe “Re-Мedika”.
Siç kumtoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçje, edhe në klinikat kirurgjikale këtë javë do të hapen shtretër shtesë për pacientët me Kovid.
Ndërkohë, numri i të infektuarve nuk ulet. Bilanci më i fundit tregon për 1.112 raste të reja dhe 24 vdekje.
Ministri, megjithatë, siguron se ka mjaft shtretër në klinikat e Shkupit tani për tani, ndërsa personeli mjekësor është i angazhuar maksimalisht. “Vendosja e sistemit ka treguar që ai funksionon mirë dhe se jep rezultate në një numër më të madh të pacientëve të shëruar dhe në një numër të mjaftueshëm të shtretërve të lirë”, tha Filipçe.
Kapacitetet po mbushen shpejt, por pothuajse aspak nuk pritet për shtrim në spital, jo vetëm për pacientët nga Shkupi, por nga i gjithë vendi.
“Është arritur marrëveshje me tre spitalet më të mëdha private dhe është siguruar një kapacitet shtesë prej 100 shtretërish për trajtimin e pacientëve me KOVID. Bëhet fjalë për burime që shteti do të përdorë nga spitalet private. Ne së bashku ramë dakord që ky të ishte spitali “Bogorodica e Vogël” – spitali i vjetër i “Sistina” ku mund të vendosen 100 pacientë. Ata do të pajisen plotësisht nga të gjitha spitalet private me marrëveshje të përbashkët. Prej atje do të sigurohet edhe staf edhe material. Shteti do të paguajë kompensim adekuat për të gjitha ata në përputhje me ligjet ekzistuese”, theksoi Filipçe pas takimit me pronarët e “Sistinës”, “Zhan Mitrevit” dhe “Re-Medikas”.
Ata konfirmuan se janë të gatshëm të ndihmojnë dhe ta bëjnë më të mirën për të mirën e qytetarëve.
“Kemi arritur marrëveshje në interes të qytetarëve. Nëse mbetet siç është dakorduar, të gjitha tre spitalet më të mëdha dhe ato më të vogla do të përfshihen në ndihmën e qytetarëve në luftën kundër KOVID-19 dhe të gjitha resurset tona që disponojmë. I kemi pranuar tërësisht kushtet e ministrisë”, ka thënë pronari i “Sistinës”, Orce Kamçev.
Sipas pronarit të spitalit “Filipi i Dytë”, Zhan Mitrev të gjithë janë të qëndrimit se duhet të ndihmojnë aq sa munden.
“Parimisht kemi koncept dhe qëndrojmë pas kësaj. Ministri dhe ministria duhet ta menaxhojnë gjithë këtë, ne jemi këtu të ndihmojmë edhe në pajisje dhe kuadër ashtu edhe me logjistikë. Tani për tani nuk ka kurrfarë mosmarrëveshje dhe mendoj se jemi në drejtim të asaj që të ndihmojmë sa të mundim në këtë situatë”, ka thënë Mitrev.
Ministri Filipçe dje u u takua edhe me drejtorët e shumicës së klinikave të Shkupit në të cilat janë hapur qendra KOVID, si dhe me udhëheqësinë e SHPQ “8 Shtatori”. Kjo periudhë kritike, theksoi ai, do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme, ndërsa do të vazhdojë edhe presioni mbi spitalet. Prandaj, është thelbësore, tha ai, që qytetarët t’i respektojnë masat për mbrojtje kundër KOVID.
Apel për respektimin e masave mbrojtëse, bëri drejtori edhe ushtruesi i detyrës Drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.
Në seancë, informon Angellov, plani i Ministrisë së Shëndetësisë do të rishikohet, cilat institucione duhet të sigurohen. Ai më pas vuri në dukje se Armata gjatë sigurimit do t’i ndihmojë vetëm policisë dhe do të jetë në pozicionet e saj pa armë.
“Ne tashmë kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë një plan të objekteve që duhet të sigurohen. Nesër do ta rishikojmë dhe do t’ia japim MPB-së për ta bërë atë funksionale. Ne do të kërkojmë nga shërbimet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në fushën e sigurisë, të përgatisin një plan – nëse pranohen të gjitha pikat, nëse ka mbulim të mjaftueshëm në një ndërrim apo 24 orë. Bazuar në këtë, njerëzit do të parashikojnë se kur do të kenë rotacion në tre ndërrime. Atëherë do ta kemi fotografinë e duhur”, shpjegoi Angellov.
Plani i veprimit, kujtoi ai, akoma nuk është miratuar dhe aprovuar nga Komiteti Drejtues, për këtë arsye nuk mund të përpunohet, ndërsa duhet të kalojë edhe në qeveri.
Ministria e Shëndetësisë dje kumtoi se në 24 orët e fundit numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me KOVID është 54.743, ndërsa janë bërë 2.553 teste. Prej 1.112 rasteve të reja, më së shumti janë në Shkup, 321.
Nga 24 të vdekurit, katër pacientë janë nga Shkupi (76, 62, 67 dhe 70 vjeç), një nga Kumanova (64), një nga Shtipi (87), tre nga Prilepi (69, 45 dhe 79), dy nga Tetova (41 dhe 65), dy nga Velesi (81 dhe 61), pesë pacientë nga Manastiri (70, 91, 48, 60 dhe 73), një nga Ohri (89), një nga Kriva Pallanka (47), një nga Krusheva (60), një nga Koçani (41), një nga Makedonski Brodi (40) dhe një pacient nga Vinica (66). Të gjithë pacientët vdiqën në kushte spitalore.
Sipas shifrave të fundit të Ministrisë, në kovid qendrat në Shkup mjekohen 474 persona. Shumë prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Të gjitha repartet infektive kanë furnizim me oksigjen dhe mund të kujdesen për pacientët që kanë nevojë për mbështetje të oksigjenit.
Janë hospitalizuar 35 pacientë të rinj, ndërsa në klinikat interne kishte gjithsej 20 pranime, një pacient u hospitalizua në Institutin për Sëmundjet e Mushkërive dhe TBC, pesë në qendrën kovid të Klinikës së Neurologjisë, shtatë pacientë janë hospitalizuar në spital në Klinikën e Dermatovenereologjisë, dy në klinikën e Nefrologjisë, ndërsa pesë në qendrën e sapohapur të Klinikës së Syve. Në qendrën kovid në SHQP “8 Shtatori” kishte pesë pranime të reja të pacientëve ndërsa në Klinikën Infektive janë pranuar 10 persona.
Në Klinikën e Lëkurës në Qendrën KOVID mjekohen 24 pacientë, në Klinikën e Neurologjisë 37 pacientë, ndërsa në Institutin për TBC janë pranuar gjithsej 54 pacientë me simptoma të koronavirusit, në Klinikën për Gastroenterohepatologji mjekohen gjithsej 26 persona, në kovid qendrën e Klinikës për nefrologji aktualisht janë 24 pacientë, ndërsa në Klinikën për Sëmundjet e syve 12 pacientë.
Në SHQP “8 Shtatori” ka gjithsej 159 pacientë, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive ka 159 pacientë, ndërsa në Institutin për sëmundje të mushkërive te fëmijët-Kozle ka 30 pacientë, nga të cilët 9 fëmijë dhe 21 të rritur.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 54.743, numri i pacientëve të shëruar është 32.366, numri i viktimave është 1.511, ndërsa numri i rasteve aktive është 20.866.