Mjetet nga buxheti i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2021, që arrijnë 50 miliardë denarë, kryesisht kanë për qëllim vazhdimin e reformës sociale, kujdesin për më të rinjtë, uljen e papunësisë dhe uljen e varfërisë, informoi ministrja Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska.
“Të gjitha të drejtat sociale dhe në kushtet e pandemisë vazhdojnë të rrjedhin normalisht dhe jo vetëm kaq, por kemi lehtësuar aksesin e qytetarëve në ndihmën minimale të garantuar, në ndihmën për fëmijë dhe arsim, 12 miliardë denarë shkojnë për reformën sociale, dy miliardë shkojnë për Planin vperues për masat e punësimit, procesi i ndërtimit të kopshteve vazhdon, vetëm deri në fund të vitit siguruam hapësirë për 500 fëmijë të rinj”, tha Shahpaska në emisionin “Magazina Ekonomike” në TV Alsat ku foli për të gjitha çështjet aktuale që prekin qytetarët, dhe janë nën kompetencën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Nga pakoja e katërt e masave me vlerë prej 470 milionë euro, kujtoi, 27 milionë euro shkojnë për mbështetje financiare prej 6,000 denarë për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, nga të cilët 182,000 pensionistë me pension nën 15,000 denarë, 84,000 për kërkuesit pasivë të punës, 8100 shfrytëzues të pensionit social shtetëror dhe 5700 prindër kryefamiljarë.
Në pyetjen lidhur me zgjidhjen e re ligjore për të dielën – ditë jo pune, ministrja Shahpaska tha se si Ministri e Punës dhe Politikës Sociale e angazhuar me hartimin e zgjidhjes së re ligjore është në koordinim me të gjitha ministritë dhe të gjitha subjektet në shoqëri për marrjen e vendimit që do të jetë i qëndrueshëm dhe në interes të të gjithë shoqërisë.
Theksoi se është formuar grup pune, i cili përfshin Ministritë e Ekonomisë, Transportit dhe Lidhjeve, Shoqërisë Informatike dhe Kulturës, por, siç tha ajo, komunikimi dhe diskutimi i përditshëm zhvillohet me përfaqësues të sindikatave, punëdhënësve, dhomave.
Lidhur me ndryshimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës, i cili rregullon kontratat e punës, ministrja sqaroi se kontrata e punës përfundon me moshën 64 vjeçare dhe 15 vjet të shërbimit përveç nëse parashikohet ndryshe nga një ligj tjetër, me përjashtime në ato aktivitete ku ka mungesë të personeli dhe ku pensionimi do të rrezikonte funksionimin, si në shëndetësi ashtu edhe në arsimin e lartë. Potencoi se vlerësimi bëhet nga menaxheri, drejtori, udhëheqësi, sipas nevojave derisa të gjendet kuadër që do të zëvendësonte atë të mëparshmin.
Për temën e varfërisë dhe sfidat që sjell, ministrja sqaroi se themeli i reformës sociale nuk është gjenerimi i varfërisë, por heqja e saj nga varfëria përmes vendosejes të Asistencës minimale të garantuar, vendosjen e një koncepti të ri të kejs-menaxhment për familjet në rrezik shoqëror.