Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë do të mund ta kalojnë kufirin edhe pa test PCR, ndërsa nëse një shtetas nga këto tri vende për shkak të Kovid-19 shtrohet në spital, shteti në të cilin ndodhet do t’i mbulojë shpenzimet për mjekim.
Kjo, ndër të tjerash, parashikohet nga Memorandumi i bashkëpunimit në kushte të Kovid-19 të nënshkruar sot nga kryeministri, Zoran Zaev bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe Shqipërisë, Edi Rama në prani të ministrave të Shëndetësisë.
Në Memorandumin potencohet se ministrat e Shëndetësisë dhe mjekët nga të treja vendet do të bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë përvoja në luftën kundër koronavirusit.
Kryeministri Zaev i cili ishte nikoqir i ngjarjes ,theksoi se me këtë vendoset rruga për një bashkëpunim edhe më të fortë midis vendeve.
“Ne po hapim korridore të gjelbra për udhëtimet e qytetarëve tanë dhe operatorëve ekonomikë të cilët i lehtësojnë pasojat e Kovid – 19. Qytetarët dhe mbi të gjitha, ruajtësit e ekonomisë do të lëvizin midis tre vendeve pa nevojën e testeve PCR – përkatësisht do të përjashtohen nga administrata dhe barra financiare e qytetarëve. Ne duam ta lehtësojmë jetën e qytetarëve tanë dhe të vendosim baza për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Zaev.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, siç tha ai, menjëherë do të fillojnë të punojnë në koordinimin për sigurimin e një vaksine për Kovid – 19 për qytetarët tanë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq theksoi se shëndeti dhe infeksionet nuk njohin kufij kombëtarë dhe për këtë gjithashtu është shumë me rëndësi ajo për çka janë marrë vesh që të mos i mbyllin kufijtë, por bashkërisht ta tejkalojnë krizën, bashkërisht të luftojnë kundër pandemisë dhe të vazhdojnë me shkëmbimin tregtar, ta avancojnë atë bashkëpunim dhe të gjitha llojet e tjera të bashkëpunimit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se me memorandumet të cilat tashmë i kanë nënshkruar parashihet shkëmbim i informacioneve dhe përvojave, si dhe me ngarkesën, sa është e mundur në kushte të pandemisë me Kovid-19.
“Me Samitin e Sofjes, fillon një fazë e re e bashkëpunimit tonë të ngushtë dhe Kosova do të bashkohet me nismën. Unë gjithashtu dua që vendet e tjera në komunitetin e Ballkanit Perëndimor të bashkohen”, tha Rama, duke shtuar se është shumë e rëndësishme t’i tregohet BE-së se Ballkani ka nevojë për më shumë mbështetje.