Kuvendi sot duhet ta vazhdojë seancën e tij të 20-të, në rendin e ditës të të cilit është Propozimi i plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2020, respektivisht rebalanci i dytë për këtë vit, për të cilin deputetët debatuan gjatë katër ditëve të kaluara. Debati në Kuvend pas rebalancit, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, zgjat pesë ditë dhe ky afat skadon sot.
Në rebalancin, sipas Qeverisë, janë planifikuar mjete për zbatimin e pakos së katërt të masave antikrizë në vlerë prej 470 milionë euro për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë në ballafaqimin me pasojat nga kriza shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga Kovid-19.
Në diskutimin në seancën plenare në katër ditët e fundit, deputetët nga pushteti dhe opozita fajësuan njëri-tjetrin për domosdoshmërinë e miratimit të rebalancit dhe nëse pakoja e katërt e masave do të japë rezultatet e pritura. Opozita theksoi se qeveria nuk po menaxhon mirë krizën shëndetësore dhe se pakoja e katërt e masave nuk do të japë rezultatet e pritura dhe për shumicën miratimi i ribalancit është i nevojshëm për të qenë në gjendje të ndihmojë qytetarët dhe ekonominë sa më shpejt të jetë e mundur.
Me rebalancin sigurohen mjete për pakon e katërt të masave, që pritet të shpëtojë 83.000 vende pune përmes mbështetjes për pagesën e pagave për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor në shumën prej 14.500 deri 21.776 denarë në muaj. Përveç kësaj, rreth 283.000 qytetarë pritet të marrin kartela pagese prej 6.000 denarëve, secila për të përforcuar fuqinë blerëse dhe konsumin privat dhe ndërmarrjeve të prekura nga kriza u sigurohen dhjetëra masa të tilla si grante, hua pa interes, garanci doganore dhe shtetërore dhe lehtësime tatimore.
Në rebalancin e ri, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 196.3 miliardë denarë, shpenzimet në 252.8 miliardë denarë ose 5,5 për qind më shumë se krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2020, ndërsa deficiti pozicionohet në 56,5 miliardë denarë, respektivisht 8,5 për qind të BPV-së. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 19,1 miliardë denarë ose për 0,5 miliardë denarë janë më të ulëta se plani për vitin 2020.