Policia austriake po kërkon për të paktën një të dyshuar pas sulmeve të mbrëmshëm me armë në kryeqytetin austriak Vjenë, ku mbetën të vdekur katër persona, ndërsa shtatëmbëdhjetë të tjerë janë plagosur, disa rëndë – pasi persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme.
Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia, thanë zyrtarët.
Dy nga ata që vdiqën në të shtënat ishin gra dhe dy ishin burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kamariere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital brenda natës, thanë raportet.
Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit ku kishte njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse kjo ishte shënjestra.
Shtatë nga të plagosurit kanë plagë të rënda, të rrezikshme për jetën, raportojnë mediat austriake, shkruan BBC.
Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri i brendshëm Nehammer tha se personi i armatosur rëndë i vrarë nga policia ishte një simpatizant i Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar dhe ishte sekuestruar video materiali. Policia shkroi në Twitter se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.
Më parë, Nehammer tha të paktën një sulmues “i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm” besohej të ishte akoma i lirë. Zyrtarët u cituan të thoshin se mund të kishin qenë deri në katër sulmues. Ministri i brendshëm u bëri thirrje njerëzve të shmangnin Vjenën qendrore dhe u tha prindërve të mbanin fëmijët e tyre në shtëpi/
Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist”.
Kjo ndodhi disa orë para se Austria të vendoste kufizime të reja kombëtare për t’u përpjekur të ndalte rastet në rritje të koronavirusit.
Udhëheqësit evropianë dënuan sulmin. “Evropa dënon me forcë këtë akt frikacak që cenon jetën dhe vlerat tona njerëzore,” shkroi Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Twitter. Nga ana tjetër edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson u shpreh thellësisht i tronditur nga sulmet e tmerrshme në Vjenë. Kurse presidenti Francez Emanuel Macron tha se francezët ndajnë tronditjen dhe pikëllimin me popullin austriak.
burim: Portalb