Parimet kushtetuese dhe ligjet do të respektohen dhe ai parim për paprekshmëri të banesës ose shtëpisë është parim që nuk ka alternativë dhe duhet të respektohet, ishte i vendosur sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se si policia do ta zbatojë masën për kontroll të shtëpive dhe a do t’i duhet policisë urdhër nga Gjykata.
Për atë se a ka mekanizma për kontrolle, Spasovski konfirmoi se ka dhe sqaroi se tani ka nevoja të tilla dhe në bazë të kësaj po bëhen kontrolle të tilla. Ai bëri thirrje që të pritet Qeveria që të sjellë vendimet dhe pastaj të përgjigjet në të gjitha dilemat që ekzistojnë te qytetarët.
“Nuk do të doja të flisnim tani kur nuk janë miratuar në Qeveri, për formën e atyre masave dhe çka duhet të përfshijnë. Do t’i dëgjojmë masat dhe argumentet e autoriteteve shëndetësore për secilën nga masat dhe atëherë do të sillet vendim i Qeverisë. Qytetarët duhet ta dinë se veprimi i policisë do të jetë vetëm në mbrojtjen e parimeve kushtetuese dhe të normave ligjore”, deklaroi Spasovski, i cili sot mori pjesë në aksionin humanitar “Muaji i humanizmit – Gazi Baba kujdeset”, të cilën e filloi Komuna e Gazi Babës.
Ai edhe një herë përsëriti se paprekshmëria e shtëpisë është kategori kushtetuese dhe ajo është një gjë e shenjtë për secilin qytetar dhe këtë nuk mund ta rrezikojë askush, megjithatë, theksoi se vendimet të cilat do të miratohen, ndërsa janë në funksion të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve, gjithsesi se do të parashihen dhe do të ketë mekanizma adekuat të kontrollit dhe zbatimit të tij.
“Ky është propozim të cilin e jep Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, ndërsa unë nuk marr pjesë dhe nuk kam kompetenca që të flas, kjo është nga aspekti i profesionit, atë që ata e kanë vlerësuar nga aspekti shëndetësor. Ato propozime duhet të vijnë në Qeveri, të shpjegohen dhe në bazë të asaj do të sillet vendimi, ndërsa se çfarë vendimi do të sillet do ta shohim pas mbledhjes së Qeverisë”, sqaroi ministri Spasovski.
I pyetur se a vlerëson se duhet të jetë pjesë e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Spasovski u përgjigj se absolutisht nuk ka të drejtë as ai, e as kushdo qoftë nga policia të jetë pjesë e këtij Komisioni.
“Çka do të ofrojmë ne. Ne duhet t’i dëgjojmë argumentet e autoriteteve shëndetësore. Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe autoritetet shëndetësore duhet t’i lëmë të vendosim në bazë të shkencës. Nuk duhet të jem pjesë sepse as unë, e as ndonjë tjetër nga MPB nuk mund të përgjigjemi në pyetjet që kanë lidhje me aspektin shëndetësor, ndërsa propozimet vijnë në Qeveri dhe kemi mundësi që t’i themi argumentet tona dhe për këtë të sjellim vendim”, potencoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.