Nëse zgjedhjet në vend të 15 korrikut bazohen në numrin e tuiteve të publikuara, atëherë koalicioni në pushtet “Mundemi”, i kryesuar nga LSDM, do të duhej të fitonte dyfish më shumë deputetë se partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE, vlerëson BIRN në analizën për përdorimin e rrjeteve sociale në fushatën parazgjedhore.
Megjithatë, siç potencohet në tekst, ajo që po ndodhë në rrjetet sociale, jo çdoherë reflektohet edhe në jetën reale, e posaçërisht jo ndaj rezultateve zgjedhore.
“Edhe pse ishte dyfish më aktive në Tuiter, koalicioni në pushtet i kryesuar nga socialdemokrati Zoran Zaev, ndau fitore shumë të vogël në zgjedhje, duke fituar 46 nga 120 vendet në Parlament, vetëm dy më shumë se rivali djathtist VMRO-DPMNE”, thekson BIRN.
Rrjeti potencon se analiza komparative e tuiteve të kandidatëve partiak përcakton se hashtagjet, si “Ne mundemi” dhe “Ne kujdesemi”, të cilat i përdorën socialdemokratët, janë dukshëm më të numërt në krahasim me hashtagjet, si “Zgjedh ripërtëritje” dhe “Drejtohu Maqedoni”, të përdorura nga VMRO-DPMNE.
“Hashtagjet e koalicionit në pushtet mund të haseshin në 5.600 tuite, ndërsa ato të opozitës në diç më shumë se 2.100. Edhe pse lideri i socialdemokratëve Zaev ishte kryesues në këtë proces, aktivë në rrjete ishin edhe personalitete të tjera të shquara, si ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, zëvendëskryeministrja Milla Carovska, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministri teknik Oliver Spasovski, nga të cilët shumica ishin edhe bartës të listave të kandidatëve në ndonjërën nga gjashtë njësitë zgjedhore. Në bllokun opozitar, pjesa më e madhe e publikimeve rridhnin nga profili i liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski apo nga profili zyrtar në Tuiter i partisë. Në krahasim me këto dy profile, aktivitetet e përfaqësuesve të tjerë të partisë opozotare ishin të anashkaluar”, ceket në analizë.
BIRN thekson se edhe pse numri më i madh i tuiteve në profilin e Zaevit ka të bëjë me promovimin e fushatës së koalicionit të tij, megjithatë rreth 10 për qind e kumtimeve përmbanin fushatë negative kundër opozitës.
“Mes atyre kumtimeve negative, më mbresëlënës ishin ato se nëse VMRO-DPMNE kthehet në pushtet, kjo do të thotë ‘kthim i regjimit’, duke aluduar në sundimin autoritar të ish-liderit të VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski”, theksojnë autorët e analizës.
Sipas BIRN, edhe numri më i madh i kumtimeve në profilin e Mickoskit ishin kahëzuar drejt premtimeve zgjedhore apo promovimit të fushatës zgjedhore, por rreth 13 për qind prej tyre u kushtoheshin sulmeve ndaj partisë në pushtet.
“Tuitet kushtuar sulmeve ndaj socialdemokratëve shumë shpesh e përmbanin fjalën ‘krim’ loidhur me Zaevin, si dhe me procesin gjyqësor ‘Reket’ në të cilin ish-shefja e Prokurorisë speciale publike, Katica Janeva, në të kaluarën fuqishëm e mbështetur nga Zaevi, dhe të dyshuar të tjerë ishin shpallur fajtorë për mitmarrje. Kumtime të tjera e akuzonin Zaevin për shitje të interesave nacionale për shkak të arritjes së marrëveshjes së rëndësishme për fqinjësi të mirë me Bullgarinë fqinje dhe marrëveshjen historike për emrin me Greqinë”,shtohet në tekst.
Analiza tregon edhe se nëntë nga dhjetë kumtimet më shpesh të shpërndara gjatë fushatës ishin të përfaqësuesve të koalicionit të LSDM-së, me ç’rast kumtimi i Zaevit me reklamën zyrtare të fushatës është më e shpërndara. Nga ana tjetër, kumtimi më i shpërndarë i Mickoskit, ai në të cilin ai i nxitë të rinjtë të qëndrojnë në vend dhe “të luftojnë për Maqedoninë”, është madje në vendin e dhjetë sipas numrit të shpërndarjeve.
BIRN thekson se nga analiza e të gjitha kumtimeve në Tuiter gjatë fushatës zgjedhore, konkludohet se më shpesh është përmendur emri i Zaevit, me ç’rast profili i tij ishte përmendur në 3.100 kumtime, përderisa ai i liderit opozitar Mickoski në 1.580.
“Edhe krahas luftës së ashpër zgjedhore të udhëhequr në Tuiter edhe nga koalicionet edhe nga ithtarët e tyre, asnjëri bllok nuk e fitoi atë që dëshironte. Zaev nuk fitoi shumicë të sigurt për formim të qeverisë së re dhe zbatim të reformave të premtuara, ndërsa Mickoski nuk arriti t’i bindë votuesit se është koha që ai ta marrë pushtetin”, konkludohet në analizë.