Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në tribunën e sotme të koalicionit “Mundemi” në Tetovë, u porositi, siç tha, nënave maqedonase, shqiptare, turke se “me NATO-n më nuk do të ketë luftëra!”
“Vendi ynë u bë anëtar i NATO-s. Të respektuar baballarë dhe nëna, qoftë shqiptarë, ose maqedonas, ose turq, me NATO-n më nuk do të ketë luftëra, me NATO-n më nuk do të druani për fëmijët e juaj, me NATO-n do të ketë investime, me NATO-n ka demokraci, me NATO-n ka barazi, me NATO-n ka perspektiva”, tha Zaevi.
Për këtë shkak, theksoi, NATO-ja është qëllimi ynë i parë strategjik, edhe i maqedonasve edhe i shqiptarëve edhe i turqve edhe i serbëve edhe i vllehëve edhe i boshnjakëve edhe i romëve, i të gjithëve.
“Kemi arritur dhe për këtë shkak më nuk ka parti që të vijnë para zgjedhjeve nga njëqind herë, nga njëmijë herë, nga një milion herë që t’ju premtojnë NATO dhe BE. Punë e përfunduar është NATO-ja, si dhe data për fillimin e negociatave me BE-në, arritëm sëbashku”, porositi Zaevi, në tribunën në Tetovë, ku mori pjesë edhe Bilall Kasami, lideri i Lëvizjes BESA, e cila sëbashku me LSDM-në është pjesë e koalicionit “Mundemi”.