Personat me ndihmë sociale, personat që marrin të ardhura për fëmijët, por edhe personat e moshuar me sigurim social, nuk do të paguajnë më përmbarues të detyrueshëm. Kjo del nga ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit për Përmbaruesit, që dje u votuan në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ministria e Drejtësisë që i ka përgatitur këto ndryshime thotë se kjo është reflektim i nevojës reale për ndihmë dhe mbështetje të kategorive të ndjeshme të njerëzve të cilët përballen me probleme ekzistenciale. Në kumtesën për media, ata bëjnë të ditur se ndryshimi i dispozitave ligjore, do të vlejë edhe për përmbarimet tashmë të filluara, sepse bëhet fjalë për një ligj më të favorshëm për qytetarët.
Ministria e Drejtësisë
“Me ndryshimet plotësisht përjashtohen nga përmbarimi i dhunshëm të ardhurat e qytetarëve të cilët janë shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar nga mbrojtja sociale, të ardhurat e fëmijëve sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe të ardhurat për sigurim social të të moshuarve, në pajtim me rregullat për sigurim social të të moshuarve”.
Ndryshime thonë ata, përfshijnë edhe uljen e shumës maksimale për pjesën tjetër të qytetarëve.
Ministria e Drejtësisë
“Në mënyrë plotësuese me ndryshimet ulet shuma e vlerës maksimale e cila mund të ruaj gjegjësisht ndryshoj kufizimet e përmbaruesit edhe atë prej 1/3 në 1/5 e pagës dhe pensionit, kompensim i shpenzimeve për strehim të një personi dhe kompensim për kujdestari për familje sociale, si dhe fëmijët shfrytëzues të pensionit familjar”.
Ky, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është ndryshimi i dytë i ligjit, ndërsa të dyja ndryshimet janë në drejtim të ndërtimit të konceptit të përmbarimit fillestar dhe mbrojtjes së dinjitetit të qytetarëve.
Përmbaruesit disa herë kanë protestuar kundër këtyre ndryshime. Ndërsa muajin që shkoi, pjesa dërmuese e zyrave të përmbaruesve ishin të mbyllur në shenjë revolte për Propozim Listën tarifore të Ministrisë për Drejtësi me të cilën zvogëlohen shpërblimet maksimale nga 1.000 në 300 euro. /SHENJA/