Këshilli ekzekutiv dhe Këshilli Qendror i LSDM-së kanë vendosur sonte që Oliver Spasovski të drejtojë Qeverinë teknike në mandatin 100 ditësh, e cila do të ketë për detyrë ti organizojë zgjedhjet e 12 prillit, ndërsa Milla Carovska do të emërohet zëvendës kryeministre për çështje ekonomike. Këtë e njoftoi sonte edhe zyrtarisht vetë kryeministri aktual, Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së, menjëherë pas përfundimit të mbledhjeve të dy organeve më të larta drejtuese të LSDM-së. Përveç tyre LSDM ka caktuar edhe dy zv ministrat plotësues në MPB dhe Punë dhe Politikë Sociale, Sllavjanka Petrovska dhe Sanella Shkrijel.
Për emrin e Spasovskit dhe dy ministrat teknik të cilët do ti nominojë VMRO-DPMNE, kryeministri Zaev do të duhet të dakordohet nesër edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski gjatë takimit që do ta zhvillojnë në Qeveri.
Qeveria teknike ku opozita do të drejtojë MPB-në dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, do të zgjidhet në seancë parlamentare më 3 Janar. Në këto dy ministri LSDM do të ketë zëvendës ministra plotësues.
A. Zeqiri