CIVIL – Qendra për Liri alarmon dhe përkujton se ngjarjet aktuale politike ditore në vendin, nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë arsyetim për mosrespektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Tragjedia e fundit në të cilën e humbi jetën një djalosh 17 vjeç, i cili ishte i vrarë nga një moshatar, është përkujtim për të qelburit e shoqërisë në të cilën jetojmë.
Kjo shoqëri nuk guxon ti harrojë të drejtat e njeriut, në veçanti nuk guxon të lejojë ti anashkalojë të drejtat e fëmijëve! Shteti, shoqëria, institucionet, mediat dhe prindërit kanë obligim të punojnë bashkë dhe të sigurojnë kushte maksimale për zhvillim dhe jetë dinjitoze, të shëndoshë dhe të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.
Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të zhvillohen në shoqëri në të cilën kultivohet respekti i ndërsjellë, të mësojnë se jeta nuk ka çmim, se askush nuk guxon as të mendojë t’ia marrë jetën tjetrit. Prindërit, institucionet, personat publikë, të gjithë së bashku kanë detyrë që me veprime personale, për çdo ditë t’u japin shembuj pozitivë fëmijëve dhe të rinjve.
Askush nuk guxon t’i ik përgjegjësisë, por, të fillojë, secili me mundësitë e veta dhe ingerencat, të ndërtojë kushte të shëndosha për jetën dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve. Tani!