Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, prej sot deri më 25 janar, do të merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos, Zvicër, bashkë me zëvendëskryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Koço Angjushev dhe me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Kryeministri Zaev në Forumin në Davos, në të cilin edhe këtë vit morën pjesë kryetarët e shteteve dhe qeverive, përfaqësues të tjerë shtetëror, si dhe udhëheqës të kompanive më të mëdha në botë, do të realizojë më tepër takime pune dhe takime bilaterale me investitorë potencial, udhëheqës biznesi dhe bashkëpunëtorë.
Si pjesë e aktiviteteve, kryeministri Zoran Zaev do të realizojë takim me komisarin e BE-së për politikë fqinjësore evropiane dhe zgjerim, Johanes Han.
Ndër takimet me liderët politik dhe ekonomik, në agjendën e Kryeministrit Zaev janë edhe takimet me Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Marjan Sharec, me ministrin e Shëndetësisë të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Span, me drejtorin ekzekutiv të Gogle Xhigsou, si dhe me liderë të tjerë dhe përfaqësues të lartë të kompanive në debatet dhe takimet joformale që do të mbahen gjatë Forumit më të madh ekonomik në botë.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, është i ftuar të mbajë fjalim dhe të merr pjesë në debatin “ Krijimi i partneritetit të fortë për rritje ekonomike dhe paqe në Ballkanin Perëndimor” në forumin “E ardhmja e Aleancës Transatlantike” si dhe në forume dhe debate për lidhje në botën e arkitekturës globale të ekonomive.
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, dr. Koço Angjushev do të realizojë disa takime me përfaqësues të bizneseve dhe kompanive, kurse ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mes tjerash, do të marrë pjesë në takimin e ministrave bashkëfinancues të Deklaratës së përbashkët për e-tregti.
Tema kryesore e Forumit Botërorë Ekonomik vjetor në Davos , është Globalizimi 4.0, në kuadër të cilit do të debatohet edhe ardhmëria e ekonomive, rreziqet e rimëkëmbjes ekonomike, e ardhmja e vendeve të punës, dhe tema të tjera.