Sot mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të punës së Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.
Kjo gjë pritet të lehtësojë tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve. Kjo pritet të reduktojë edhe kostot e bizneseve, si dhe do të ndihmojë që të rritet ekonomia e të dyja shteteve.
Megjithatë, deri te realizimi i këtij bashkëpunimi ka një histori të gjatë premtimesh e pritjesh.
Autoritetet shqiptare i premtuan Kosovës portin e Durrësit, pas premtimit të ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha se porti i Shëngjinit do t’i jepej Kosovës. Premtimi i Berishës ishte dhënë në vitin 2009, por asnjëherë nuk u realizua.
Në vitin 2016, Shqipëria i premtoi edhe një tjetër port Kosovës, portin e Durrësit. Kësaj radhe premtimi u bë në Qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.
Në një tryezë të organizuar asokohe në Prishtinë, ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se importuesit kosovarë dhe Kosova mund ta shfrytëzojnë portin e Durrësit dhe se ky port do të funksionojë si ndalesa e fundit për bizneset kosovare.