Çerdhja “11 Tetori” në Butel 2 do të zgjerohet me një objekt bashkëkohor nga druri dhe materiale tjera natyrore, të hapura ndaj diellit, që do t’iu mundësojë edhe fëmijëve me ngecje në zhvillimin psiko-fizik të socializohen në hapësirat e punëtorive kreative, pikturës, baletit, kinemasë, teatrit dhe shkollës së muzikës. Ndërkaq një çerdhe bashkëkohore do të ndërtohet në oborrin e shkollës “Shën Kliment Ohridski” në Butel 1, kapaciteti i së cilës do të jetë për 75 fëmijë. Gjatë promovimit të projekteve për dy çerdhet, i pari i komunës, Smilevski tha se investimet inovative në fjalë janë të parat e këtij lloji në shtet.
Bëjmë diçka që do të jetë fytyrë e komunës së Butelit dhe shpresoj që të jetë diçka që nuk ka në Republikën e Maqedonisë. Me këtë do t’i përmbushim nevojat e banorëve të komunës së Butelit, do të jemi shumë më ndryshe. Investojmë shumë në këto çerdhe sepse mendojmë se e ardhmja është në fëmijët tanë. Gjithçka varet nga zgjedhja, tenderi, por mendoj se dy punët do të jenë gati deri në fund të mandatit dhe do të lëshohen në përdorim.” – tha Velimir Smilevski, Kryetar i Komunës së Butelit
Smilevski shpreson që me fillimin e vitit të ardhshëm të fillojë edhe procesi i ndërtimit të dy çerdheve, me ç ‘rast vlera e projektuar e asaj në Butel 2 është rreth 600 000 euro, ndërsa e çerdhes në Butel 1 është 800 000 euro.
Me këto dy objekte veç rritjes së cilësisë pritet të zbutet edhe problemi me kapacitetin e pranimit të fëmijëve.