Komuna e Çairit njoftoi prindërit që as sot nuk do të punohet në shkollat fillore ‘Ismail Qemali’, ‘Vasil Glavinov’ dhe ‘7 marsi’ për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore. Nga komuna e Çairit thonë se janë duke shqyrtuar mundësitë se si të rregullojnë këtë çështje, por theksuan se problemi nuk është te Komuna por vetë ngrohtorja.
“Nuk e dimë ende sigurt se a do të punohet nesër apo jo në këto shkolla dhe çerdhe. Komuna nuk ka faj pasi që ne kemi rënë dakord se borxhi (14 milion denarë) që kemi do të shlyhet ngadalë dhe se nga nënshkrimi i marrëveshjes vitin e kaluar, ne rregullisht paguajmë muaj për muaj ngrohtoren për ngrohjen e shkollave. Madje kemi paguar edhe për dhjetorin”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla. Ai shtoi se problemi nuk është që komuna i ka borxh ngrohtores por që gjendja e keqe financiare i është krijuar nga largimi i konsumatorëve që janë furnizuar me ngrohje nga kjo ngrohtore.
Ndërkaq nga Ngrohtorja Shkup Veri thonë se nuk kanë arritur të sigurojnë garanci për pagesën e gazit natyror dhe prandaj nuk mund të kryejnë obligimet ndaj shfrytëzuesve.
“Shkup Veri SHA Shkup për të siguruar garanci për pagesën e gazit natyror, ka kërkuar nga komuna e Çairit pagesë paraprake javore për detyrimet që Komuna e Çairit i ka ndaj ngrohtores Shkup Veri SHA Shkup ose ofrim të garancisë për pagesën. Deri në këtë moment nuk kemi marrë një garanci të tillë dhe për këtë nuk mund të vazhdojmë me mjetet tona t’i përmbushim obligimet ndaj porositësit”, thonë nga Ngrohtorja Shkup Veri.
Qytetarët gjithashtu kërkojnë reagime dhe interesim edhe nga komuna e Butelit për zgjidhjen e këtij problemi, pasi që lagja Veri i takon kësaj komuna dhe banorët, çerdhja dhe shkolla fillore e kësaj lagje po ashtu nuk kanë ngrohje.