Pas debatit tre ditor në Kuvendin e Maqedonisë, u miratuan draft amendamentet ku do të bëhen ndryshime në Kushtetutë në përputhje me marrëveshjen e Prespës. Me këtë mbaroi edhe faza e dytë e ndryshimeve kushtetuese.
Pas miratimit të draft amendamenteve në Kuvend, propozuesi i ndryshimeve kushtetuese, gjegjësisht Qeveria duhet të organizojë debat publik prej tri ditësh, ku më pas ka dy të ditë përgatisë raport dhe në ditën e pestë ta dorëzojë deri në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi më pastaj është i obliguar që në afat prej 30 ditësh të caktojë seancë për sjelljen përfundimtare të amendamenteve, ku përsëri, ashtu siç ishte në fazën e parë, është e nevojshme shumica prej dy të tretave. Me këtë përfundon procedura e ndryshimeve kushtetuese që dalin nga marrëveshja e Prespës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga Qeveria thonë se janë të hapur për sugjerime dhe kërkojnë nga të gjithë deputetët të përfshihen në debatet për amendamentet. Kryeministri Zaev të shtunën në fillim të debatit për draft amendamentin tha se mbetet i hapur për proces përfshirës, duke shtuar se draft-amendamentet janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e Maqedonisë dhe perspektivave të saj në integrimet euroatlantike. Ai përsëriti se amendamentet do të jenë përfshira në Kushtetutë vetëm nëse Greqia e voton marrëveshjen dhe jep mbështetje për Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Një pjesë e partive politike shqiptare si Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kërkuan të debatohet për barazinë gjuhësore sepse sipas tyre hapje e ndryshimeve kushtetuese është moment i mirë për t’u debatuar.