Të gjithë në forma të ndryshme kemi reaguar ndaj rrezikut nga qentë “endacak” të cilët sulmojnë qytetarët nëpër rrugë të ndryshme të vendit. Të gjithëve na goditi vdekja e 17 vjeçares në Gostivar dhe të gjithë u irrituam me këtë tragjedi.
Disa e fajësuan kryetarin e komunës, disa Qeverinë, disa politikanët. Por nuk ishin të paktë edhe ata që edhe gjatë akuzave ndaj politikanëve kërkuan dënimin kapital për këto krijesa të cilat pa dëshirën dhe vullnetin e tyre, hidhen e barten nga një qytet në tjetrin, nga një shesh në tjetrin, nga një udhëkryq në tjetrin. Të shumtë ishin ata që këto ditë kërkuan publikisht që qentë të vriten, ndërsa nuk ishin të paktë edhe ata që akuzuan qytetarët të cilët ditë më parë protestuan për mbrojtjen e kafshëve dhe qenve në veçanti. Përpara se të kërkoni vrasjen e qenve, a keni menduar se kush i krijoi ata? Ju që në emër të humanizmit solidarizoheni me vdekjen tragjike të 17 vjeçares, çfarë humanistë jeni që kërkoni të vriten krijesa që kanë shpirt. Ju që shkoni në kisha e xhamia e që çdo ditë postoni citate nga librat e shenjtë, me çfarë guximi kërkoni të vriten krijesat e Zotit për të cilat Ai na ka urdhëruar të kujdesemi, por edhe na ka treguar si të mbrohemi në të njëjtën kohë. A nuk keni menduar ndonjëherë se edhe ata qen “endacak” çdo ditë, po në ata rrugë dhe sheshe, rrezikohen nga ne, nga automjetet tona? A nuk keni parë qen dhe këlyshë të vegjël të cilët kanë këmbë të thyera e edhe trupa të dredhur ndrydhur nga lëndimet fizike? A vërtetë besoni se ata dëshirojnë të ballafaqohen çdo ditë me ne dhe rrezikun mes nesh. A keni krahasuar ndonjëherë nivelin e vetëdijes së tyre me nivelin e vetëdijes tonë dhe më pas të krahasoni nivelin e sulmeve që ata na bëjnë neve me nivelin e sulmeve dhe dëmeve që ne i bëjmë njëri tjetrit? Në këtë aspekt, a keni menduar se sa më shumë do të kafshonim, vrisnim e dëmtonim njëri tjetrin sikur ne krijesat e “shenjta” të kishim nivelin e vetëdijes që kanë qentë. Përveç pjesës morale, fetare e njerëzore ka dhe një aspekt tjetër të cilit rrallë herë i qasemi, por që në shumë vende të botës është dëshmuar si zgjidhja më e mirë e këtij problemi. Përpara se të kërkoni përgjegjësi nga këto krijesa pa vetëdije, a nuk do të ishte më mirë të kërkojmë përgjegjësi nga ata që kanë vetëdije dhe përgjegjësinë të na udhëheqin edhe neve edhe ata (qentë)? Në çdo vend të botës së zhvilluar, qentë trajtohen në mënyrë adekuate, vaksinohen, pastrohen, sterilizohen dhe për to krijohen rezervate, qendra të posaçme të izoluara ku të gjithë jetën e kalojnë në një bashkësi me pjesëtarët e llojit të vetë dhe në harmoni me natyrën. Ata nuk kanë kërkesa luksi sikur ne, as veshmbathje me firmë, as telefona të mençur, as vetura e shtëpi luksoze. Ata kërkojnë vetëm një strehë, trajtim mjekësor dhe disa vakte ushqim, që të gjitha këto dukshëm më të lira se ato që shpenzojmë ne. A nuk duhet që këtë zgjidhje t’ua kërkojmë atyre që na udhëheqin neve dhe shtetin tonë? E di se shumë prej tyre mendojnë se në një situatë kur s’kemi para të mjaftueshme për njerëzit, nuk mund të ndajnë për kafshët dhe veçanërisht qentë. Por ata e shpesh herë edhe ne harrojmë një fakt se investimi në trajtimin e qenve “endacak” do të sjellë dobi edhe për këto krijesa, por edhe për ne, do të shpëtojë jetët dhe shëndetin tonë. Kështu të gjithë do të jemi të qetë, të shëndetshëm dhe të sigurt. Askush s’do të vritet të paktën.
Kushtet për përdorim, të drejta autoriale dhe mbrojtje të privatësisë
Marrja e përmbajtjeve nën kushte të ndryshme NUK ËSHTË E LEJUAR, përveç me leje me shkrim nga CIVILi. Shkelja e të drejtave autoriale është e ndaluar me ligj.