Ish kryeministri Nikolla Gruevski sot në Gjykatën Penale pranoi aktin e udhëzimit që më së voni deri më 8 nëntor duhet të paraqitet në burg për vuajtjen e dënimit me burg për furnizimin e mercedesit luksoz.
Nga Gjykata Penale informojnë se akti i udhëzimit për vuajtjen e dënimit Gruevskit i është shqiptuar sot në gjykatë, sepse nuk e kishin gjetur në adresën e shtëpisë. Sipas aktit të udhëzimit, ai duhet të lajmërohet në burg në afat prej 13-të ditëve nga dita kur i është shqiptuar akti.
Gjykata e Apelit në Shkup në datën 5 të këtij muaji si të pabazë e refuzoi ankesën e Gruevskit për lëndën “Tanku” dhe në tërësi e konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë për dënimin me burg prej dy viteve.
Gjykata pjesërisht e pranoi ankesën e të akuzuarit ish-ndihmës i ministrit të Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski dhe e ndryshoi pjesën e vendimit për dënimin dhe e dënoi me burg në kohëzgjatje prej katër viteve dhe gjashtë muajve, ndërsa në pjesën e mbetur vendimin e shkallës së parë e konfirmoi.
Gjykata Penale më 23 maj të këtij viti për furnizimin e “mercedesit” luksoz në vlerë prej 600 mijë eurove, e dënoi të akuzuarin e parë Gjoko Popovskin me gjashtë vite e gjashtë muaj, ndërsa të akuzuarin e dytë Nikolla Gruevskin si nxitës për kryerjen e veprës me dy vite burg. Të dy dorëzuan ankesa për aktgjykimin e shkallës së parë deri te Gjykata e Apelit Shkup.
Në lëndën “Tanku” e dënuar është edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska me gjashtë vite burg. Gjatë furnizimit të “mercedesit” zyrtar Jankullovska e kishte keqpërdoruar pozitën dhe autorizimin zyrtar me çka ishte dëmtuar edhe procedura e tenderit sepse ishte favorizuar një operator ekonomik. Ish-ministrja ishte gjykuar veçmas pas lindjes.